Ferrari ka prezantuar zyrtarisht “Luce”, makinën e parë plotësisht elektrike në historinë e kompanisë italiane, por modeli i ri ka ndezur debat të madh në rrjetet sociale dhe në botën e automobilizmit.
Automjeti u prezantua para rreth 1,600 klientëve në Romë, ndërsa porositë për modelin nisën të mërkurën. “Luce”, që në italisht do të thotë “dritë”, kushton rreth 550 mijë euro dhe përfaqëson hyrjen e Ferrarit në epokën elektrike.
Makina është e pajisur me katër motorë elektrikë, një për secilën rrotë dhe zhvillon 1,035 kuaj fuqi. Ajo përshpejton nga 0 në 100 km/orë për vetëm 2.5 sekonda, ndërsa arrin një shpejtësi maksimale prej 310 km/orë. Bateria 122 kWh, e zhvilluar nga vetë Ferrari, ofron autonomi deri në 530 kilometra.

Megjithatë, më shumë se performanca, vëmendjen e ka marrë dizajni i saj futurist, i realizuar nga ish-drejtuesi i dizajnit të Apple, Jony Ive, në bashkëpunim me Marc Newson. Pamja e makinës është cilësuar nga shumë kritikë si shumë larg identitetit tradicional të Ferrarit.
Në rrjetet sociale reagimet kanë qenë të shumta, ndërsa aksionet e Ferrarit ranë me 8% pas prezantimit. Ngjyra blu e përdorur gjatë eventit solli krahasime me Nissan Leaf, një makinë elektrike shumë më e lirë dhe e prodhuar në masë.

Ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, reagoi publikisht në platformën X duke shkruar: “Nga ana estetike, makina flet vetë. Pyes veten çfarë do të thoshte Enzo Ferrari.”
Edhe ish-presidenti legjendar i Ferrarit, Luca di Montezemolo, kritikoi ashpër modelin e ri. “Nëse do të thoja çfarë mendoj vërtet, do të dëmtoja Ferrarin. Rrezikojmë të shkatërrojmë një legjendë. As kinezët nuk do ta kopjonin këtë makinë”, deklaroi ai. Në prezantimin e organizuar në Castel Gandolfo mori pjesë edhe Papa Leo XIV, i cili pati mundësinë të ulej pas timonit të modelit të ri, ndërsa presidenti aktual i Ferrarit, John Elkann, i prezantoi funksionet e automjetit.

Pavarësisht kritikave, drejtori ekzekutiv i Ferrarit, Benedetto Vigna, mbrojti projektin duke deklaruar se ekziston “interes i fortë” nga klientët ekzistues dhe të rinj për modelin elektrik.
Ndërkohë, pilotët e Ferrarit në Formula 1, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc, e testuan personalisht makinën. Leclerc tha se modeli është “shumë futurist dhe krejt ndryshe nga çdo Ferrari i mëparshëm”, ndërsa Hamilton vlerësoi performancën dhe stabilitetin e saj në kthesa, duke e përshkruar si “shumë Ferrari”.
Top Channel