E kryer/ Napoli zgjedh pasuesin e Contes. Trajneri i ri do të jetë Massimiliano Allegri, bie pista Italiano

28/05/2026 20:21

Parakalim, kundërparakalim dhe fitore finale. Gara për të pasuar Antonio Conten te Napoli është vendosur; në fund do të jetë Massimiliano Allegri trajneri i ri i të Kaltërve. Trajneri toskan në këtë mënyrë ka fituar balotazhin me Vincenzo Italianon i cili mbylli zyrtarisht aventurën e tij me Bolognan.

Për Massimiliano Allegrin është gati një kontratë 2 vjeçare që do të nënshkruhet sapo të livornezi të zgjidhë kontratën me Milanin. Trajneri De Laurentiis deshi të mbyllë këtë çështje sa më shpejt që të ishte e mundur, përpara se të niset për në SHBA javën tjetër.

Presidenti i Napolit nuk hoqi dorë kurrë nga pista Allegri edhe kur dukej se do të ishte Italiano ai që do të ulej në pankinën e kësaj skuadre. Nuk është hera e parë që De Laurentiis e ka kërkuar Allegrin për stolin e Napolit. Emri i toskanit u lidh me Të Kaltrit edhe vitin e kaluar kur flitej për largimin e Contes.

Karriera flet për Allegrin dhe De Laurentiis preferon dikë me më shumë eksperiencë. Tashmë ekziston një marrëveshje paraprake mes palëve; kontratë deri në 2028 me një pagë prej 5 milionë eurosh. Por edhe me Italianon ishte arritur një akord; kontratë 2-vjeçare me opsion për një vit të tretë me pagë 3 milionë euro plus bonuse. Megjithatë në orët e fundit ndodhi sprinti final dhe fitues është Allegri.

Ndërkaq ish trajneri i Milanit pasditen e kësaj të enjteje ishte në Pescara për Çmimin Galeone, dedikuar trajnerit Giovanni Galeone që u nda nga jeta në nëntor të 2025 dhe që ishte mentori i Allegrit. Kur e pyetën nëse mund të konfirmojë zërat që e shohin shumë pranë nënshkrimit me Napolin, trajneri livornez me tone shakaje tha: ‘Do ta hiqja lajmin…’

Top Channel