BE do zgjerohet, DW: Blloku është i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj

28/05/2026 12:13

Bashkimi Europian e ka rikthyer zgjerimin në qendër të axhendës së tij politike, edhe pse brenda bllokut vazhdojnë debatet mbi ritmin dhe mënyrën e pranimit të vendeve të reja, me disa shtete anëtare që ende kërkojnë reforma të thella institucionale përpara zgjerimit.

Komisionerja Marta Kos deklaroi në fillim të majit në Bruksel se zgjerimi mbetet prioritet për BE-në dhe se blloku duhet të ecë përpara nëse vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre. Ajo theksoi se për herë të parë pas 17 vitesh, BE-ja ka krijuar një grup pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë politik.

Sipas analistit Strahinja Subotic nga Qendra për Politika Evropiane në Beograd, ky zhvillim tregon se Brukseli tashmë e sheh Malin e Zi si anëtarin e ardhshëm të unionit.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, zgjerimi i BE-së nuk shihet më vetëm si proces teknik, por edhe si domosdoshmëri strategjike dhe e sigurisë.

Eksperti Steven Blockmans nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) vlerëson se të gjitha shtetet anëtare e pranojnë nevojën gjeopolitike për zgjerim, por njëkohësisht insistojnë në reforma reale nga vendet kandidate dhe në ndryshime të vetë BE-së.

Debati aktual në Bruksel po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt pyetjes nëse modeli tradicional i anëtarësimit është ende funksional. Komisionerja Kos pranoi se metodologjia aktuale e zgjerimit është ndërtuar dekada më parë dhe se po shqyrtohen forma të reja të integrimit gradual, sidomos në fushën e sigurisë.

Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet e drejta e vetos për anëtarët e rinj. Në Bruksel po diskutohet mundësia që shtetet e reja të kenë kufizime të përkohshme në disa fusha të vendimmarrjes, për të shmangur bllokimin e funksionimit të unionit.

Edhe pse politikisht kjo ide mbetet e ndjeshme, disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, kanë sinjalizuar gatishmëri për ta pranuar një kompromis të tillë nëse ai do të përshpejtonte anëtarësimin.

Top Channel