Alpinisti amerikan thyen rekordin botëror, 36-vjeçari ngjit Malin Everest në më pak se 10 orë

28/05/2026 14:55

Alpinisti amerikan Tyler Andrews ka thyer rekordin botëror për ngjitjen më të shpejtë në malin Malit Everest me përdorimin e oksigjenit, pasi përshkoi itinerarin nga kampi bazë në 5,364 metra lartësi deri në majën 8,848 metra në më pak se 10 orë.

“Ai arriti në majë për vetëm 9 orë e 55 minuta”, deklaroi David Steven, drejtues i kompanisë Asia Trekking, e cila organizoi ekspeditën.

36-vjeçari amerikan theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga nepalezi Lhakpa Gelu Sherpa, i cili në vitin 2003 e kishte përfunduar të njëjtën rrugë për 10 orë e 56 minuta.

Sipas Asia Trekking, Tyler Andrews e realizoi ngjitjen i vetëm, por me ndihmën e dy guidave, të cilët i siguruan oksigjen, ujë dhe pajisje gjatë rrugës.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se më shumë se 950 alpinistë kanë arritur majën e Everestit gjatë sezonit pranveror të këtij viti, i cili nisi më 13 maj. Numri pritet të arrijë nivele rekord për shkak të kushteve të favorshme atmosferike.

Sipas Rekordit Guines, rekordi i mëparshëm për numrin më të lartë të ngjitjeve në Everest gjatë një sezoni ishte 872, i vendosur në vitin 2019.

Këtë vit janë thyer edhe rekorde të tjera, përfshirë numrin më të madh të ngjitjeve në një ditë të vetme, 275 persona më 21 maj si dhe numrin e lejeve të dhëna për alpinistët e huaj, që ka arritur në 494.

Megjithatë, pesë alpinistë, dy indianë dhe tre nepalezë, kanë humbur jetën në shpatet e Everestit gjatë këtij sezoni.

Top Channel