Negociatat me SHBA-në për fundin e luftës, Irani: E kemi theksuar, uraniumi nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve

27/05/2026 13:01

Irani ka deklaruar se çështja e rezervave të uraniumit të pasuruar shumë nuk duhet të përfshihet në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, të cilat synojnë arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund tensioneve dhe konfliktit në rajon.

Deklarata është bërë nga Ali Bagheri, zëvendëskryetar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, gjatë një vizite zyrtare në Rusi.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, Bagheri theksoi se Teherani ia ka bërë të qartë pozicionin e tij palës amerikane dhe se përfshirja e kësaj teme në negociata do ta vështirësonte arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne kemi theksuar se çështja e rezervave të uraniumit të pasuruar shumë nuk duhet të jetë pjesë e axhendës së bisedimeve me SHBA”, deklaroi ai.

Bagheri shtoi se nëse Uashingtoni do të insistojë për të diskutuar në detaje këtë çështje, negociatat mund të mbeten pa rezultat për shkak të dallimeve të mëdha mes dy palëve.

Deklaratat e zyrtarit iranian vijnë në një moment tensionesh të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe përpjekjesh diplomatike për të rikthyer dialogun mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me programin bërthamor iranian dhe stabilitetin rajonal.

Top Channel