Kualifikueset e Botërorit 2027 për vajza/ Kombëtarja, zbulohen 23 futbollistet e grumbulluara për ndeshjet e radhës

27/05/2026 12:19

Kombëtarja e vajzave do të zbresë në fushë në muajin qershor për sfidat me Çekinë dhe Malin e Zi, dy sfida shumë të rëndësishme të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2027 dhe që do të vendosin për fatin e vajzave kuqezi në garën për një vend në fazën play-off.

Trajneri Armir Grima publikoi listën e futbollisteve të grumbullura të cilat do të nisin përgatitjet e tyre këtë të premte në Shkodër.

Në portë janë grumbulluar Antigoni Hyska, Rajmonda Spahiu dhe Klesjana Spaho, ndërsa në mbrojtje tekniku kuqezi ka përzgjedhur Rexhina Maxhalakun, Arbenita Currajn, Alma Hilajn, Armera Tukajn, Arbiona Bajraktarin, Leonora Dedgjonajn, Klea Hamonikajn, Aglia Iliadhin, Xhesika Ndojn dhe Gresa Berishën.

Në mesfushë rikthehen Vanesa Levenaj dhe Eriola Delia, ndërsa pjesë e listës janë edhe Ezmiralda Franja, Megi Doçi, Ilarja Zarka, Mikaela Metalla dhe Mesuare Begallo.

Në repartin e sulmit rikthehet Esi Lufo, që bashkë me Fortesa Berishën dhe Valentina Trokën do të udhëheqin sulmin kuqezi në këto sfida të rëndësishme. Kombëtarja e vajzave do të luajë fillimisht në 5 qershor me Çekinë në Pragë, në stadiumin “FK Viktoria Žižkov”, ndërkohë që do të mbyllë këto kualifikuese me sfidën ndaj Malit të Zi në 9 qershor në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës.

Top Channel