Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Marta Kos: Një hap i madh për Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE

27/05/2026 08:40

Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, pas zhvillimit të Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel.

Pas përfundimit të mbledhjes dhe konferencës për mediat, komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos e cilësoi progresin e Shqipërisë si një moment shumë të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Kos deklaroi se Shqipëria ka arritur standardet e ndërmjetme dhe janë vendosur tashmë standardet përmbyllëse për grup-kapitullin e çështjeve themelore, duke e konsideruar këtë një “hap të madh përpara” në negociatat me Bashkimin Europian.

Në konferencën për shtyp pas takimit, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe zëvendësministrja qipriote për Çështjet Europiane Marilena Raouna, u theksua rëndësia e reformave në drejtësi, sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve demokratike.

“Një hap i madh përpara për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian!

Së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe zëvendësministren qipriote për Çështjet Europiane Marilena Raouna në Bruksel sot, Shqipëria arriti standardet e ndërmjetme dhe ne vendosëm standardet përmbyllëse për çështjet themelore”, shkruan Kos.

Top Channel