Memorandumi i mirëkuptimit, SHBA gati t’i japë fund bllokadës që Irani të rivendosë transportin detar në Ngushticën e Hormuzit
Detajet e një “Memorandumi Mirëkuptimi”, që lidhet me një marrëveshje të mundshme paqeje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, u publikuan ditën e sotme nga mediat iraniane, pas vizitës në Katar të Ghalibaf dhe Araghchi.
Ndërkohë Katari po luan rolin e ndërmjetësit në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, memorandumi parashikon tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga zonat përreth Iranit, ndërsa Marina amerikane do të heqë bllokadën detare në Ngushticën e Hormuzit. Në të njëjtën kohë, Irani është zotuar që brenda një muaji të rikthejë numrin e anijeve tregtare që kalojnë përmes ngushticës në nivelet e para luftës.
Mediat shtetërore iraniane raportojnë gjithashtu se anijet ushtarake nuk janë përfshirë në draftin e marrëveshjes. Menaxhimi dhe udhëzimi i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit do të realizohet nga Irani në bashkëpunim me Omanin.
Sipas dokumentit të publikuar, nëse marrëveshja përfundimtare arrihet brenda 60 ditëve, ajo do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ndërkohë, çmimet e naftës së papërpunuar në SHBA kanë vijuar rënien, duke zbritur nën 89 dollarë për fuçi.
Top Channel