E rëndë në Greqi/ Ishte duke luajtur, 10-vjeçari bie aksidentalisht në një kanal ujitës dhe ndërron jetë Ish-kryeministri më i suksesshëm britanik nga Partia Laburiste, Tony Blair, ka kritikuar qeverinë e kryeministrit, duke thënë se kjo administratë e drejtuar nga Keir Starmer po luan me zjarrin dhe ka nevojë për një rikurdisje nga e para.
Partia dhe qeveria laburiste duhet të jenë më radikale, shkruan në një ese të botuar gjerësisht nga mediat britanike të së mërkurës Tony Blair. Nga Londër njofton korrespondenti i Top Channel, Arben Manaj.
Ndërhyrja e ish-kryeministrit Tony Blair, i cili ka fituar tre palë zgjedhje njëra pas tjetrës, duke kritikuar qeverisjen e kryeministrit Keir Starmer gjatë 700 ditëve të qeverisjes, pas fitores spektakolare ndaj konservatorëve të djathtë, si dhe koha e kësaj kritike, mbeten shumë interesante.
Partia Laburiste në pushtet dhe qeveria e saj po luajnë me zjarrin dhe duhet të jenë më radikale, sipas Tony Blair, në një ese prej 5 mijë fjalësh, ku shkruan se Britania e sotme duket më shumë si një ishull i irrelevancës, duke rrezikuar të dalë nga “Premier Liga” e kombeve.
Një përshkrim jo dhe aq vezullues. Sipas Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar nuk duket e përgatitur sa duhet për epokën e Inteligjencës Artificiale dhe rendin e ri botëror. Ndërkohë që vlerëson udhëtimin kontravers të Keir Starmer në Kinë, nga ana tjetër thotë se ai duhej të kishte lejuar amerikanët të përdornin bazat ushtarake britanike në konfliktin me Iran.
Në aspektin ekonomik, politikat e qeverisë kanë krijuar erë përballë avionit dhe jo erë që e shtyn atë nga pas për bizneset vendase. Për çështjen e Bashkimi Evropian, Tony Blair, si një ish-kritik i madh i Brexit, thotë se rikthimi i Mbretëria e Bashkuar në Bashkimi Evropian nuk është përgjigjja e duhur për momentin.
Problemi më i madh i qeverisë aktuale nuk është te personaliteti i kryeministrit Keir Starmer, por te mungesa e një plani të mirëmenduar dhe koherent për vendin në një botë që po ndryshon me shpejtësi marramendëse. Pra, kjo qeveri, sipas Tony Blair, nuk është e gatshme të dalë nga zona e saj e rehatisë dhe duhet të rikurdiset nga e para. Në një deklaratë që nuk tingëllon si kompliment për Keir Starmer, Tony Blair thekson se Britania ka nevojë jo për menaxhues problemesh, sesa për zgjidhës problemesh.
Keir Starmer aktualisht është nën një trysni të jashtëzakonshme pas zgjedhjeve katastrofike vendore dhe rajonale të këtij muaji dhe tentativa për ta larguar kryeministrin nga Downing Street, para se të mësohet se çfarë drejtimi politik do të ketë vendi, nuk është një mënyrë serioze e sjelljes politike nga Partia Laburiste.
Sipas tij, laburistët duhet të jenë radikalë në qendër të politikës britanike për të mposhtur radikalizmin nga e majta e të Gjelbërve dhe radikalizmin nga e djathta e populistëve të Nigel Farage.
Tony Blair nuk ka qenë aktiv në politikën britanike prej dy dekadash, por ndërhyrja e tij konsiderohet si një lloj këshille nga një mik që e kritikon me dashamirësi kryeministrin aktual, i cili duhet ta dëgjojë për të mirën e vet dhe, mbi të gjitha, të Mbretëria e Bashkuar.
Top Channel