Ghalibaf dhe Araghchi vizitë në Katar/ Nga Marina amerikane te anijet në Hormuz, mediat iraniane zbardhin detaje nga “memorandumi i mirëkuptimit” SHBA-Iran
Analiza e ‘The Independent’ tregon se çështja e aseteve iraniane të ngrira me vlerë 24 miliardë dollarë është kthyer në pikën kryesore të ngërçit në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për një marrëveshje të mundshme paqeje.
Sipas raportimeve, armëpushimi i brishtë në Lindjen e Mesme është vënë sërish në provë pas akuzave të Iranit ndaj SHBA-së për shkelje të marrëveshjes, përmes goditjeve pranë Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, administrata e Donald Trump ka minimizuar incidentet, ndërsa negociatat vijojnë përmes shkëmbimit të propozimeve për një memorandum mirëkuptimi që do të hapte rrugën për bisedime më të gjera.
Trump vazhdon të kërkojë që Irani të heqë dorë përfundimisht nga ambiciet për armë bërthamore, ndërsa Teherani kërkon garanci për sovranitetin e tij, fundin e luftës në Liban dhe heqjen e bllokadës detare amerikane.
Sipas agjencive iraniane të lajmeve Fars News Agency dhe Tasnim News Agency, pika kryesore e mosmarrëveshjes lidhet me lirimin e fondeve iraniane të ngrira në banka të ndryshme në botë.
Irani kërkon lirimin e menjëhershëm të 24 miliardë dollarëve si pjesë e marrëveshjes paraprake, ndërsa më herët kishte kërkuar zhbllokimin e 12 miliardë dollarëve të mbajtura në Katar.
Një pjesë e këtyre fondeve, rreth 6 miliardë dollarë, lidhet me të ardhurat nga shitja e naftës iraniane në Korenë e Jugut, të cilat u ngrinë pas rikthimit të sanksioneve amerikane ndaj Iranit në vitin 2018, kur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore.
Sipas zyrtarëve, asetet iraniane të ngrira në mbarë botën arrijnë në rreth 100 miliardë dollarë dhe mbahen kryesisht në Kinë, Indi, Japoni, Katar dhe Irak.
Nga ana tjetër, administrata amerikane ka shmangur komentet e drejtpërdrejta mbi çështjen e fondeve të ngrira. Sipas mediave britanike, aleatët e Trump kundërshtojnë lirimin e miliardave dollarëve përpara se Irani të pranojë kufizime të forta mbi programin e tij bërthamor, pasi kjo do të shihej si një fitore politike për Teheranin.
Ndërkohë, negociatat vijojnë në Katar, ku pala iraniane po përpiqet të arrijë një marrëveshje paraprake për lirimin e fondeve dhe rifillimin e dialogut me SHBA-në.
Top Channel