“Nuk mund të ulesh në tryezë me një shtet që ke ligj lufte”/ Kalaja përplaset me Sulin, sekretari i Omonia-s: Ka 30 vite që ligji nuk është në fuqi

26/05/2026 14:21

Sekretari i Omonia-s, Marin Suli, është përplasur me gazetarin Aulon Kalaja ndërsa diskutonin për Ligjin e Luftës me Greqinë.

Të ftuar në ‘Shqipëria Live’, Suli këmbënguli se ky ligj u bë me dekret mbretëror dhe sot nuk ka asnjë fuqi, duke e cilësuar si një vakum.

Nga ana tjetër, Kalaja u shpreh se ky ligj ka shumë efekte psikologjike tek qytetarët, duke ngritur pyetjen se përse ky ligj nuk shfuqizohet nga parlamenti.

Ky diskutim erdhi pas takimit që kryeministri Rama dhe Ministri Nufi patën ditën e djeshme me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias në Tiranë, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Pjesë nga debati: 

Kalaja: Pse mund të humbim shumë në hartë? Sepse ne jemi shumë vend i vogël. Greqia ka eksperiencë në këtë. Ke gjyqtarë grekë në Gjykatën e Hagës, ne s’kemi. Greqia është shumë herë më lart se ne në harta. Do ishte më e ndershme për ne që të uleshim në tryezën e bisedimeve. Një çështje tjetër që është mollë sherri është ligji i luftës. S’mund të ulesh dot në tryezën e bisedimeve me një shtet që ke akoma ligj lufte. A është ligji i luftës akoma në fuqi?

Suli: Jo, nuk është. Është një ligj që ka mbi 30 vjet që është i papërdorshëm dhe ka ikur nga praktika gjyqësore. Ne kemi pasur Traktatin e Miqësisë. Ligjërisht, nuk është në fuqi. Ligjin e luftës e vuri mbreti. Vajti ta hiqte qeveria e Papandreut dhe u bë me dekret mbretëror që nuk mund ta heqë asnjë qeveri. Ky ligj nuk ka asnjë fuqi.

Kalaja: Pse nuk shfuqizohet në parlament pastaj?

Suli: Po të ishte ligji i luftës do të ishte…

Kalaja: Ka shumë efekte, një ai psikologjiku që ti je në luftë me Greqinë.

Suli: Nuk jemi as de facto, as de jure në luftë.

Kalaja: A ekziston ligji apo jo? Pse ngrihet në çdo tryezë bisedimi? E ka thënë dhe ministri grek që do e çmontojmë.

Suli: Nuk ulen për marrëveshje.

Kalaja: Për çështjen kombëtare duhet të jemi seriozë. Pse arrestimi i Fredi Belerit përcakton ligjin e luftës? Po flasim për dy shtete.

Suli: Është fenomeni, jo Beleri.

Kalaja: Është e parëndësishme kjo.

Top Channel