Fituese e Topit të Artë/ Pas 14 sezoneve dhe 230 golave, Alexia Putellas i thotë lamtumirë Barcelonës së vajzave

26/05/2026 21:35

Alexia është Barcelona dhe Barcelona është Alexia. E megjithatë kjo lidhje e fortë do të marrë një periudhë pushimi, sepse kapitenia mori vendimin për t’u larguar nga klubi i jetës së saj pas 14 sezonesh dhe pasi theu të gjithë rekordet e mundshme. Do të largohet nga skuadra blaugrana e vajzave për të kërkuar sfida të reja larg Spanjes.

Kur Alexia Putellas u transferua te Barcelona pas një eksperience të shkurtër te Espanyol dhe Levante, futbolli i vajzave nuk ishte ky që është aktualisht. Ishte në korrik të 2012, kur futbollistja e re e talentuar  më në fund bëri ëndrrën e saj realitet, të luante për skuadrën e jetës së saj. 

Alexia erdhi te një skuadër me futbolliste të konfirmuara si Rafols, Melanie Serrano, Marta Unzue, Sonia Bermúdez apo Vicky Losada. Klubi po bënte hapa para në një projekt ambicioz që kishte një objektiv; të bëhej skuadra më e mirë në botë. Me lojtare të akademisë dhe blerje gjithnjë e më të rëndësishme Barcelona e vajzave u rrit kaq shumë sa tashmë është padrone në Spanjë, ndërkohë që ka pushtuar edhe Evropën dhe në të gjithë këtë proces Alexia Putellas ishte një element kyç

Putellas, tashmë 32 vjeç nis një sfidë të re pasi u shndërrua në futbollisten më të rëndësishme në historinë e klubit. Ajo largohet me 508 ndeshje të luajtura me Barcelonën dhe duke qenë shënuesja më e mirë në futbollin e vajzave me 230 dhe goleadorja e dytë më e mirë e klubit duke përfshirë edhe futbollin e djemve, më mirë se ajo ka bërë vetëm Lionel Messi. Këtyre iu shtohen edhe 37 titujt e fituar mes të cilave 10 tituj kampion të Spanjës, 8 Kupa të Mbretëreshës apo 4 Liga Kampionesh dhe dy pokerë titujsh, kjo e këtij sezoni dhe ai i 2024. është futbollistja më me shumë tituj në histori dhe ka fituar 2 herë radhazi Topin e Artë. Alexia Putellas do të lërë një boshllëk të madh te Barcelona e Vajzave, që do të jetë e vështirë që të plotësohet.

Top Channel