Emrat/ Aksioni i përbashkët i SPAK me Antimafian Italiane, goditet grupi i Igli Kamberit. Kujt i përkisnin pasuritë e sekuestruara

26/05/2026 11:05

Në konferencën e përbashkët për mediat, janë publikuar edhe pamje nga operacioni i gjerë ndërkombëtar mes SPAK dhe Antimafias Italiane, të cilat tregojnë ndërhyrjen e forcave speciale në disa zona të Shqipërisë dhe Italisë, ku u finalizuan ekzekutimet e 10 masave të sigurisë ndaj një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas të dhënave hetimore, në Shqipëri janë arrestuar 4 persona, ndërsa në Itali 6 të tjerë. Grupi akuzohet për pastrim parash dhe një sërë veprash të tjera të rënda penale, me aktivitet të shtrirë mes dy vendeve.

Hetimi lidhet edhe me vrasjen e Francesco Diviesti, një parukier nga Barletta, i cili u gjet i pajetë më 25 prill 2025 në zonën e Canosa di Puglia, në Itali. Çështja përfshin gjithashtu një rrjet të dyshuar të organizuar me bazë në Tirana, i akuzuar për transferim dhe pastrim të parave nga Italia drejt Shqipërisë.

Në vitin 2025, gjatë hetimeve paraprake, autoritetet sekuestruan rreth 700 mijë euro në pikën kufitare të Muriqan, të cilat dyshohet se kishin burim kriminal. Dosja më pas iu kalua Prokurorisë së Shkodra për hetime të mëtejshme.

Sipas SPAK, grupi kriminal kishte role të qarta të ndara. Ergys Kastrati, i njohur edhe si “Bishja”, së bashku me bashkëshorten e tij, dyshohet se merreshin me pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Ai u arrestua gjatë një operacioni të forcave speciale në një vilë në një zonë rezidenciale, ndërsa prej rreth dy vitesh ishte në kërkim nga autoritetet.

Në total pritet ekzekutimi i sekuestros për 8 automjete, 10 llogari bankare dhe 4 shoqëri tregtare dhe 680.595 euro cash. Këto të fundit të kapura në Muriqan në vitin 2024 teksa po tentohej futja e tyre në Shqipëri nga Mali i Zi me automjet nga Lefter Nelaj.

Pasuritë i përkasin Nevila Kamberit (gruaja e Igli Kamberit) prindërve të saj Dituri dhe Fatos Buzi, gruas së Ergys Kastratit e të tjerë bashkëpunëtorëve, Bardhok Gjergji, Saimir Pirra, Sokol Fusha e Edi Brahaj, roli i të cilëve ende nuk është i qartë.

Top Channel