“Lugina e Karavastasë, konfiskimi më i suksesshëm, tjetër s’ke”/ Sekuestrimi i pronave, Karamuço i kthehet Qynos: Raportet kanë një problematik që…

25/05/2026 22:15

Sekuestrimi i pasurive ka qenë një luftë e vazhdueshme e institucioneve të drejtësisë kundrejt bosëve të organizatave kriminale.

 

Nga Italia, në Kolumbi apo dhe në Amerikë ka disa shembuj mjaft interesant se si janë ndryshuar pasuritë e konfiskuara të disa prej njerëzve më famëkeq të historisë së krimit.

Pasuritë miliona euro të ish-drejtuesve të Cosa Nostras, Salvatore Riina, i njohur ndryshe si “Toto Rino” dhe pasuesit të tij në organizatë, Bernardo Provenzano janë kthyer në kooperativa bujqësore, qendra rinore, apo shkolla e projekte sociale. Disa prej këtyre vilave janë kthyer dhe si qendra rezidenciale për gratë e dhunuara.

Gazetari Ervin Qyno u shpreh në “Top Story” se këto pasuri të konfiskuara nuk po shfrytëzohen plotësisht nga asetet e shtetit.

Nga ana tjetër, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço u shpreh se raportet e këtyre subjekteve që i dorëzohen Këshillit të Ministrave kanë një problematik që haset çdo vit.

Pjesë nga diskutimi-

Qyno: Më thoni një rast që një pasuri e sekuestruar apo e konfiskuar që është shfrytëzuar plotësisht nga asetet e shtetit. Të jetë një zyrë poste. Ke shumë zyra poste në ambiente me qira në Tiranë dhe nuk ke një zyrë poste, një institucion shtetëror që të hyjë në këto pasuri.

Karamuço: Po lexoja një raport publik që i dorëzohet çdo vit Këshillit të Ministrave…

Qyno: Hiq Lagunën e Karavastasë që ka qenë konfiskimi më i suksesshëm, pastaj s’ke. Atë ia morën Aldo Bares dhe shteti e ka totalisht nën administrim.

Karamuço: Po të lexosh raportet që i dorëzohen çdo vit Këshillit të Ministrave nga agjencia, aty ka një problematik, që ata e hasin çdo vit edhe e ngrenë me të madhe. Kompanitë që caktojnë administratorë, janë me probleme, sepse shumica janë fiktive. Kanë borxhe, pra janë vitrinë. Kur e merr administratori, ai thotë: ‘Çfarë t’i bëj unë kësaj?’, se ajo është e lënë ashtu kastile. Atë mision ka pasur ajo.

Qyno: Që kur e sekuestrojnë dhe që kur e marrin në administrim, e marrin të falimentuar.

Top Channel