Andrea Kimi Antonelli merr fluturimin në Botërorin e Formula 1. Piloti italian i Mercedes fiton Çmimin e Madh të Kanadasë duke shënuar fitoren e katërt radhazi në këtë sezon.

Thuajse gjysma e garës u karakterizua nga parakalime dhe kundërparakalime mes Russell dhe Antonellit dhe momenti që vendosi përfundimisht këtë duel ishte tërheqja nga gara për shkak të një problemi teknik të pilotit anglez në xhiron e 30. 

Në këtë pikë Antonellit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të administrojë garën pas pit stopit dhe të kalojë i pashqetësuar i pari vijën e finishit. Në këtë mënyrë, italiani plotëson pokerin e garave radhazi pas atyre në Shanghai, Suzuka dhe Miami dhe e thellon në 43 pikë diferencën në krye të klasifikimit me George Russell në vendin e dytë

Në podium bashkë me Antonelli u ngjitën Lewis Hamilton që u rendit në vendin e dytë, rezultati më i mirë i 7 herë kampionit të botës me Ferrarin, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Max Verstappen me Red Bull. Piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc u rendit në vendin e katërt duke shpëtuar në ekstremis një fundjavë  gjatë së cilës ishte në hijen e shokut të tij të skuadrës. 

Por Ferrari dhe Red Bull në garën e Kanadasë përfituan edhe nga e diela horror e McLaren. Kampioni i botës, Lando Norris braktisi garën në xhiron e 41, ndërsa Piastri e përfundoi garën në vendin e 13. Skuadra Alpine hyri në zonën e pikëve me Franco Colapinto që u rendit në vendin e 6, ndërsa Gasly u pozicionua në vendin e 8. Dhjetëshja më e mirë e garës së Kanadasë u plotësua nga Carlos Sainz dhe Oliver Bearmann.

Top Channel