E pabesueshme në Kupën e Portugalisë/ Sporting mposhtet në finale nga një skuadër e Divizionit të Dytë

25/05/2026 12:36

Në një fundjavë të pasur me verdikte përfundimtare në shumë kampionate, surpriza vjen nga Portugalia. Torreense, skuadër e Divizionit të Dytë në kampionatin luzitan mposhti Sportingun e Lisbonën në finalen e Kupës së Portugalisë duke fituar kështu një trofe historik.

Për skuadrën e Torres Vedras, një vend me 72 mijë banorë dhe që është 50 km larg Lisbonës, kjo kupë është trofeu më i rëndësishëm në historinë e saj. Deri pasditen e së dielës, në palmaresin e kësaj skuadre ishte vetëm një titull kampion i Divizionit të Dytë dhe një në Divizionin e Tretë. Për më tepër Torreense bëhet e para skuadër nga Divizioni i Dytë që fiton Kupën e Portugalisë, një sukses që do t’i japë mundësinë të marrë pjesë në Europa League sezonin e ardhshëm.

Finalja e Kupës së Portugalisë ishte një lloj ngushëllimi për Sporting Lisbonë për të lënë pas trishtimin e vendit të dytë në kampionat me 6 pikë më pak se Porto kampion. Por ndeshja nisi shumë keq Sportingun që e pa veten në disavantazhin 0-1 pas vetëm 4 minutash lojë pas golit të shënuar nga Kevin Zohi. Në pjesën e dytë, Luis Suarez i sistemon gjërat për bardhegjelbrit teksa shënoi golin e barazimit në 1-1, një rezultat që rezistoi deri në fund të 90 minutave dhe ndeshja shkoi në kohën shtesë.

Episodi vendimtar i ndeshjes u regjistrua pikërisht në minutën e 113, mbrojtësi uruguajan i Sporting, Maximiliano Araújo shkaktoi faull në zonë; karton i kuq për te dhe penallti për Torreense. Te pika e bardhë shkon kapiteni, Stopira që u tregua i saktë duke shënuar golin që e çoi rezultatin në 2-1 që ishte edhe ai përfundimtar me Torreense që nisi festimet për këtë triumf historik, një festë që ishte e përmbajtur pasi sezoni për fituesit e Kupës së Portugalisë nuk është mbyllur ende; në fakt të enjten e 28 majit do të luhet ndeshja e kthimit e playoffit për kthimin në Primeira Liga me Casa Pia, sfida e parë është mbyllur 0-0. Skuadra nga Torres Vedras ka luajtur 6 kampionate të elitës së futbollit portugez, i fundit ka qenë në 1991/92. Edhe pak ditë dhe Torreense mund të shkruajë një tjetër faqe të historisë së futbollit luzitan.

Top Channel