Pakti SHBA-Iran, Rubio: Ka përparim të rëndësishëm. Teherani: Nuk pranojmë marrëveshje për programin bërthamor
Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv ajror ndaj Ukrainës gjatë natës së të dielës, duke lëshuar qindra dronë dhe dhjetëra raketa në disa rajone të vendit.
Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 80 të tjerë janë plagosur në Kiev dhe zonat përreth, sipas autoriteteve ukrainase.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në të gjithë rajonin e Kievit, ndërsa sulmet shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesa banimi, shkolla, qendra tregtare dhe infrastrukturë civile. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia përdori edhe raketën hipersonike “Oreshnik” në një sulm ndaj qytetit Bila Tserkva, në rajonin e Kievit.
Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia lëshoi rreth 90 raketa dhe 600 dronë që nga mbrëmja e së shtunës. Policia kombëtare raportoi se mbi 50 lokacione në Kiev u goditën nga sulmet.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se dy persona u vranë në kryeqytet, ndërsa 30 të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u dërguan në spital. Një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në distriktin Shevchenko u përfshi nga flakët pas goditjes, ndërsa një tjetër sulm pranë një shkolle bllokoi hyrjen e një strehimoreje ajrore me mbeturina.
Në rajonin përreth Kievit u raportuan edhe dy viktima të tjera. Kreu i administratës rajonale, Mykola Kalashnyk, e cilësoi sulmin si “terror të qëllimshëm kundër civilëve”.
Sulme u raportuan gjithashtu në rajonet Cherkasy, Kharkiv, Odesa, Poltava, Sumy dhe Zhytomyr. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha se objektiva civile dhe infrastruktura kritike ishin në shënjestër.
Top Channel