Lufta drejt fundit/ Irani pranon të hapë Ngushticën e Hormuzit, gati marrëveshja me SHBA-në
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se negociatat me Iranin po zhvillohen në mënyrë “të rregullt dhe konstruktive”, ndërsa theksoi se nuk dëshiron nxitim për arritjen e një marrëveshjeje.
Në një postim në platformën e tij sociale Truth, Trump shkroi se u ka kërkuar përfaqësuesve amerikanë të tregohen të kujdesshëm gjatë bisedimeve.
“Negociatat po përparojnë në një mënyrë të rregullt dhe konstruktive, dhe unë i kam informuar përfaqësuesit e mi që të mos nxitohen për një marrëveshje, pasi koha është në anën tonë”, deklaroi ai.
Presidenti amerikan shtoi se të dyja palët duhet të marrin kohën e nevojshme për të shmangur gabimet.
“Të dyja palët duhet të marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet. Nuk mund të ketë gabime!”, u shpreh Trump, duke shtuar se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit “po bëhen shumë më profesionale dhe produktive”.
Në një tjetër deklaratë, Trump paralajmëroi se bllokada detare amerikane ndaj Iranit do të vazhdojë deri në finalizimin e një marrëveshjeje të plotë dhe të certifikuar.
“Bllokada detare amerikane do të mbetet në fuqi të plotë derisa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje me Iranin”, shkroi ai.
Trump ritheksoi gjithashtu qëndrimin e SHBA-së ndaj programit bërthamor iranian, duke deklaruar se Teherani “duhet ta kuptojë se nuk mund të zhvillojë ose të sigurojë një armë apo bombë bërthamore”.
Top Channel