Vedat Muriqi përjetoi sezonin e tij më të mirë në futbollin spanjoll. Pirati e mbylli kampionatin me 23 gola të shënuar, golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga pas Mbappe e për më tepër sulmuesi Dardan gjatë këtyre muajve hyri edhe në historinë e Mallorcës duke u bërë shënuesi më i mirë i kësaj skuadre. E megjithatë të gjitha këto nuk i mjaftuan Mallorcas që nuk e evitoi dot rënien në La Liga 2.

Shifrat e Vedat Muriqit tregojnë se ky sezon ka qenë më prolifiku për ‘Piratin’; nga 47 gola të shënuar nga Mallorca, 23 mbajnë firmën e tij që do të thotë se sulmuesi dardan ka shënuar rreth 49% të golave të të gjithë skuadrës ishullore. Muriqi ka mundur të hyjë mes 9 futbollistëve më të mirë të Evropës përsa i përket efektivitetit. Mallorca ka pasur në radhët e saj një prej sulmuesve më të mirë të Evropës por nuk diti ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pas mbylljes së këtij sezoni, duket se do të diskutohet sërish e ardhmja e futbollistit të kombëtares së Kosovës me Vedat Muriqin që mund të largohet nga Spanja. Sipas të përditshmes spanjolle AS, Turqia nuk ia ka hequr sytë qendërsulmuesit nga Kosova.

Fenerbahçe tentoi të rikthejë në radhët e saj Vedat Muriqin, ndërkohë ëe në javët e fundit edhe Galatasaray mendoi për  blerjen e tij për të mbuluar vendin e Mauro Icardit. Vedat Muriqi ka me Mallorcan një kontratë deri në vitin 2029 me sulmuesin që po e pëlqen jetën në Ishujt Baleare. ‘Për të ardhmen time vendos klubi në fillim dhe pastaj unë dhe në këtë pikë jam i qetë’-u shpreh Muriqi në muajin janar, por rënia nga kategoria e Mallorcas mund të ndryshojë gjithçka në lidhje me të ardhmen e Muriqit në futbollin spanjoll.

Top Channel