Disa incidente kanë ndodhur përpara pallatit presidencial në Beograd pas përfundimit të një tubimi të organizuar nga studentët të shtunën.
Sipas raportimeve, një grup të rinjsh u përpoqën t’i afroheshin parkut ku prej mëngjesit mbështetës të Presidentit serb Aleksandar Vučić kishin ngritur kampe. Forcat e policisë ndërhynë duke i shtyrë protestuesit prapa dhe duke përdorur granata kimike dhe mjete të tjera, pasi disa prej tyre filluan të hidhnin objekte drejt tyre.
Para mesnatës, situata u qetësua pasi shumica e protestuesve u larguan, ndërsa forca të shumta policore mbetën të dislokuara në rrugët përreth pallatit presidencial për të garantuar rendin.

Më herët gjatë ditës, në Beograd ishte mbajtur një nga tubimet më të mëdha antiqeveritare të organizuara nga studentët, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas organizatorëve, protesta e zhvilluar nën sloganin “Studentët do të fitojnë” kishte për qëllim të tregonte se lëvizja studentore ende gëzon mbështetje të gjerë në shoqëri.

Në tubim folën profesorë universiteti, gjyqtarë të shkarkuar dhe aktorë, të cilët përcollën mesazhin se “Serbia duhet të bëhet shtet ligjor, jo shtet mafioz”.
Protestat studentore kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës në Serbi kanë nisur që në dhjetor 2024, pas shembjes së një strukture në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.

Në maj 2025, studentët kërkuan zgjedhje të parakohshme dhe njoftuan se mund të garojnë me një listë të veçantë, pa figura me sfond politik. Tubimi i sotëm ishte i katërti i organizuar prej tyre në Beograd, ndërsa më i madhi ishte ai i 15 marsit 2025, kur u raportua përdorimi i një “topi zëri”, duke shkaktuar reagime edhe nga Bashkimi Evropian.
Top Channel