Derbi Torino-Juventus, tensione të larta; ndalohen ngjyrat dhe simbolet bardhezi, reagon ‘Zonja e Vjetër’

23/05/2026 14:22

Derbi i Torinos ndizet përpara fillimit të tij dhe jo për arsye që lidhen me fushën e lojës. Torino shpreson t’i mbyllë përfundimisht Juventusit rrugën për në Ligën e Kampioneve, ndërsa Zonja e Vjetër shpreson ende.

Ajo që ka ndezur këtë pragndeshje derbi është një komunikatë e klubit granata për një ‘kod veshjeje’ pa ngjyrat bardhezi në dy sektorë të stadiumit Olimpico Grande Torino, një masë që solli menjëherë reagimin zyrtar të Juventusit.

Në komunikatën e saj Torino theksonte se nuk lejohen shallet, fanelat apo çdo aksesorë të Juventusit në sektorët ‘Distinti’ dhe ‘Curva Primavera’. Në emailin e klubit që u publikua nga ‘Tuttosport’ lexohej: ‘Ata sektorë janë të rezervuar vetëm për tifozët e Torinos dhe ata neutralë. Për arsye sigurire dhe për të evituar tensione nuk do të lejohet hyrje e personave me fanelë, shall apo simbole të tjera të skuadrës mike. Ju ftojmë që të respektoni këtë rregull për t’iu garantuar të gjithëve një ambient të sigurt dhe të qetë’

Përgjigjja e Juventusit ishte e menjëhershme me klubin bardhezi që doli me një komunikatë për shtyp përmes së cilës shprehu mosdakordësinë e tij. Edhe pse është në një mendje me Torinon për rëndësinë e sigurisë, Juventus evidenton se kjo masë nuk është bërë në bazë të dekreteve realë të organeve të sigurisë publike.

Top Channel