Shqiptari i ndaluar nga autoritetet izraelite, Avokati i Popullit kërkon garanci për Baki Goxhajn

21/05/2026 15:08

Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, Endrit Shabani, është vënë në kontakt me homologun e tij izraelit, Matanyahu Englman, duke kërkuar garanci të plota për të drejtat, integritetin fizik dhe trajtimin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i ndaluar nga autoritetet izraelite gjatë ndërhyrjes ndaj nismës humanitare “Global Sumud Flotilla”.

Mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë është një detyrim kushtetues që z. Shabani e ushtron si drejtues i Institucionit të Avokatit të Popullit. Ai po ndjek çështjen edhe në cilësinë e tij si President i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM).

“Kam besim se Kontrollori i Shtetit i Izraelit do të angazhohet për të garantuar një trajtim dinjitoz të z. Goxhaj, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me parimet që na bashkojnë në hapësirën mesdhetare”, u shpreh z. Shabani.

Përtej rrugëve diplomatike që po ndiqen nga shteti shqiptar, Institucioni i Avokatit të Popullit do të qëndrojë i pranishëm dhe i palëkundur në mbrojtje të z. Goxhaj, derisa të sigurohet kthimi i tij i sigurt dhe respektimi i të drejtave të tij.

Top Channel