Top Story/ Protesta e studentëve në Shkup, Grida Duma: Një ngjarje historike, ka ngritur valën e ndërgjegjes kombëtare

20/05/2026 22:13

Protesta e mbajtur në Shkup për gjuhën shqipe nga studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ku iu bashkuan dhe ata të Shqipërisë e Kosovës vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Autorja dhe moderatorja e Top Story, Grida Duma, puntatën e kësaj të mërkure e nisi me një reflektim mbi zhvillimet më të fundit në diplomaci sa i përket kësaj lëvizjeje studentore, duke theksuar rëndësinë historike të saj jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Kosovën dhe Shqipërinë.

“Ky është një nga zhvillimet më të vonshme sa i përket diplomacisë dhe këtyre momenteve, të cilat në ‘Top Story’ i kemi quajtur historike, sepse ajo që ka ngjallur lëvizja studentore në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, është një ngjarje historike pa dyshim dhe ka ngritur absolutisht atë që ishte vala e ndërgjegjes kombëtare, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në Kosovë dhe në Shqipëri po ashtu. Thënë këtë, mënyra e kompleksuar ose jo, se si sillet shteti shqiptar kundrejt fqinjëve që mund t’i kthehen në problem, do të jetë pjesa e parë e këtij Top Story, jo vetëm sa i përket profilit të ambasadorëve, nëse ata duhet të jenë konjuktural, burokratik, procedural, apo politik dhe historik, por më tej sesa kaq. Roli i një media të tillë si Top Channel dhe një diskutimi si ky në Top Story është i tillë, që të ndërtojë një ndërgjegje kombëtare që shkon në benefit të asaj që është krenari, vlerë dhe parim i një historie që Shqipëria tashmë, nuk duhet të ketë asnjë gajle nëse e ndërton në kahjen e duhur të interesit të vet patriotik, historik dhe misionar”, u shpreh Duma.

Top Channel