“Kjo lëvizje studentore përfaqëson thelbin e Shqiptarisë”/ Grida Duma në Top Story: Gjuha shqipe, ajo që ka çmontuar çdo shkatërrues të historisë tonë

18/05/2026 22:55

Pala maqedonase ka bërë gjithçka për të ndaluar shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova që t’i bashkoheshin protestës në Shkup për përdorimin e gjuhës shqipe.

Por Ura e Gurit e Shkupit u vesh kuq e zi, me thirrjet për të mbrojtur gjuhën shqipe. Mijëra studentë shqiptarë kërkojnë të drejtën kushtetuese që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

“Respekto ligjin për gjuhën, respekto Kushtetutën” ishte banderola kryesore e protestës me thirrjet për UÇK dhe “Gjuha shqipe, amanet”.

Me pankarta të shumta në duar, protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ka kundërshtuar kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe.

Në monologun e saj hyrës dhe në një ‘studio’ të re në Shkup, autorja dhe moderatorja e Top Story, Grida Duma, e quajti këtë lëvizje studentore si atë që përfaqëson thelbin dhe eliksirin më të madh të Shqiptarisë dhe të shqiptarit.

“E kemi nisur këtë Top Story, jo me memorie dhe histori, por vetëm me kronologji, sepse kemi shkuar në tetor të parët në fakt dhe nuk ka nevojë për modesti në këtë situatë. I jemi bashkangjitur misionit të jashtëzakonshëm, që heronjtë e momentit për hapësirën shqiptare, që janë studentët e universitetit këtu në Maqedoni, e kanë nisur këtë mision me një parakalim përkundrejt gjithë politikës. Gjatë këtij Top Story, në këtë kodrinë të Shkupit, ku ne kemi udhëtuar me orë e orë dhe nuk kanë qenë të pakta sfidat… Nuk do them peripecitë, sepse nuk dua t’i konsideroj të tilla. Me orë kemi ardhur këtu bashkë me kolegë nga Tirana dhe jo vetëm, kam këtu një përfaqësi të jashtëzakonshme të studentëve.

Kjo lëvizje studentore përfaqëson ndoshta thelbin dhe eliksirin më të madh të Shqiptarisë, të shqiptarit. Pushtues, agresorë, kushdo kanë qenë ata që në historinë tonë shqiptare, janë mundur herë pas here që të manipulojnë, të shfarosin, të zhdukin edhe arkeologjinë për të treguar sa të lashtë jemi në histori, një gjë nuk kanë mundur ta bëjnë dhe s’kanë mundur ta mundin, gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe është faktori që ka mahnitur çdo studiues dhe ka çmontuar çdo shkatërrues të historisë tonë. Gjuha shqipe është ajo që po ruajnë sot studentët e jashtëzakonshëm të Universitetit të Tetovës dhe jo vetëm, të cilët janë bashkangjitur në këtë ditë të jashtëzakonshme, të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, studentë nga Shqipëria, studentë nga Kosova dhe kanë mundur që sot ta bëjnë të kuq të gjitha ato që janë ndërgjegjet e shqiptarëve kudo që ndodhen dhe na kanë sjellë sërish këtu, duke na bërë shumë krenarë për ata”, tha në monologun e saj Grida Duma.

Top Channel