Mbrëmja e së dielës ishte ajo e Robert Lewandowskit. Sulmuesi polak që bëri të ditur largimin nga Barcelona në fund të sezonit, luajti ndeshjen e tij të fundit në Camp Nou me fanelën blaugrana. Ovacionet dhe duartrokitjet e shoqëruan polakun që në momentin kur hyri në fushën e lojës, por kulmi ishte në minutën e 83.

Ishte momenti kur Hansi Flick vendosi ta zëvendësojë dhe në atë moment i gjithë publiku u ngrit në këmbë për ta përshëndetur dhe falenderuar duke kënduar në unison emrin e tij teksa ushtonte në të gjithë stadiumin. Një homazh ky i tifozëve katalanas për të shprehur mirënjohjen ndaj sulmuesit polak për golat, për lojën e tij për gjithçka që ai i dha Barcelonës në 4 vitet e tij te skuadra katalanase.

I përlotur Robert Lewandowski la fushën e lojës duke u takuar me të gjithë futbollistët që ishin në fushën e lojës dhe me stafin teknik. Për t’u ulur më pas në stol. Por edhe pas këtij momenti, tifozët vijuan të thërrisnin emrin e tij me Lewandowskin që u ngrit në këmbë edhe dy herë të tjera për t’i përshëndetur tifozët dhe për t’i kthyer afeksionin për ta. I transferuar në vitin 2022 te Barcelona, Robert Lewandowski ka zhvilluar 192 ndeshje me fanelën blaugrana duke shënuar 119 gola.

Ceremonia e lamtumirës së Lewandowskit vijoi edhe pas ndeshjes me polakun që mbajti fjalimin e tij të fundit duke shprehur të gjithë mirënjohjen e tij. ‘Ju falenderoj që erdhët këtu, për mua është një ditë emocionuese dhe e vështirë, por kur erdha këtu e dija që ishte një klub i madh dhe me dashurinë tuaj e gjithë kjo ishte e pabesueshme-tha Lewandowski-që nga dita e parë u ndjeva si në shtëpi. Nuk do ta harroj kurrë kur kënduat emrin tim. Falenderoj të gjithë lojtarët, trajnerët e të gjithë punonjësit, ka qenë një nder të punoja për këtë klub. Kemi përjetuar momente të mëdha në këta 4 vjet dhe ndihem krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Do të largohem nga stadiumi, por gjithnjë do ta kem Barcelonën në zemër. Faleminderit ju, tifozë. Njëherë culè, gjithmonë culè. Rroftë Barcelona, rroftë Katalonja’.

Video e zëvendësimit të Lewandowskit dhe ovacioneve

Top Channel