Juventusi pësoi sot një nga humbjet më të dhimbshme të sezonit, duke u mposhtur nga Fiorentina me rezultatin 0–2 në “Allianz Stadium”.

Kjo ndeshje e javës së 37-të të Serie A e la “Zonjën e Vjetër” në vendin e gjashtë të tabelës me 68 pikë, dy pozicione poshtë zonës së Champions League, e ndarë nga Roma dhe Como vetëm prej diferencës së golave.

Humbja vjen në një moment kur çdo pikë kishte peshën e arit. Juventusi zbriti në fushë me detyrimin moral për të fituar, por Fiorentina tregoi cilësi dhe vendosmëri, duke shënuar dy herë dhe duke e lënë pa përgjigje stafin teknik dhe lojtarët torinezë gjatë gjithë 90 minutave. Ky rezultat pasqyron një sezon plot luhatje për skuadrën e Tudor-it dhe për tifozët, të cilët shpresuan deri në fund për një vend mes katër më të mirëve.

Situata në tabelë: Me vetëm një xhiro të mbetur, Juventusi duhet patjetër të fitojë ndaj Torinos të dielën e ardhshme dhe, njëkohësisht, të shpresojë që Roma ose Como të gabojnë. Ky është një skenar i mundshëm, por gjithnjë e më pak i besueshëm, pasi të dyja skuadrat kanë treguar qëndrueshmëri në javët e fundit.

Nëse situata mbetet kjo që është, Juventusi do ta kalojë sezonin e ardhshëm europian në Europa League, një zhgënjim i madh ky për një klub që aspiron të luajë në nivelin më të lartë të futbollit kontinental çdo vit.

Tifozët kanë reaguar me hidhërim në rrjetet sociale, duke vënë në pikëpyetje si projektin sportiv, ashtu edhe menaxhimin e ndeshjes nga ana e stafi teknik. Sezoni nuk ka përfunduar ende, por plagët e sotme do të dhembin gjatë, pavarësisht se çfarë do të sjellë java e fundit.

Top Channel