Inter, Dumfries: Nuk do të shkëmbeja titullin e Serie A dhe Kupën e Italisë me mundësinë për të rikuajtur finalen me PSG. Për të ardhmen vendos pas Botërorit

17/05/2026 10:20

Interi pas zhgënjimit të madh të sezonit të kaluar, këtë sezon arriti të fitojë 2 trofe, titullin e Serie A dhe Kupën e Italisë. Një sukses ky mëse i merituar për zikaltrit që ditën të ringrihen sidomos pas asaj disfate me Paris Saint Germainin në finalen e Ligës së Kampioneve.

Për Denzel Dumfries këto dy triumfe kanë shumë peshë dhe nuk do t’i shkëmbente kurrë me mundësinë për të riluajtur atë finale me parizienët.

‘Nëse do të më thonin ‘më jep titullin e Serie A dhe Kupës së Italisë e të bëj të riluash finalen e Ligës së Kampioneve të vitit të kaluar’? Nuk do të pranoja-tha Dumfries në një intervistë për ‘Libero’-viti i kaluar u mbyll keq, por ne dhamë gjithçka. Mënyra më e mirë për ta harruar atë zhgënjim ishte të rinisnim gjithçka. Asgjë nuk ishte e mirëqenë dhe ia dolëm. Për këtë arsye mbaj fort titullin kampion dhe Kupën e Italisë, janë simboli i një grup që në një moment të komplikuar diti të reagojë. Chivu u tregua shumë i zoti, gjeti çelësin e duhur. Nuk ishte e lehtë’.

E ardhmja e holandezit të Interit mbetet në dyshim, pavarësisht se kontrata e tij skadon në qershor të 2028; edhe këtë verë ashtu sikurse edhe një vit më parë ai mund të lirohet nëse paguhet klauzola prej 25 milionë euro e përfshirë në momentin e rinovimit të kontratës në fillim të 2025.

‘Nuk ka sekrete. Të gjithë e dinë se në kontratën time ka një klauzolë-vijoi Dumfries-këtu ndihem shumë mirë, me të vërtetë. Kemi një Botëror përpara dhe pastaj, ashtu sikurse çdo vit tjetër do të bisedoj me klubin për të studiuar situatën. Gjithnjë kështu kemi bërë, edhe këtë radhë kështu do të veprojmë’.

Ndërkaq Interi ka vënë në shënjestrën e tij Marco Palestrën që është në pronësi të Atalantës por që është te Cagliari me huazim. ‘Është një futbollist shumë i mirë krahu. Më pëlqen shumë-tha Dumfries-te Interi duhet të vijnë vetëm futbollistë shumë të mirë dhe ai do të ndihej  mirë në grupin tonë’

Top Channel