Historike! Katër vite më parë luanin në kategorinë e katërt, klubi i vogël gjerman ngjitet për herë të parë në Bundesligë

17/05/2026 17:50

Një nga historitë më të bukura të futbollit gjerman është shkruar këtë sezon nga SV Elversberg.

Klubi i vogël nga Gjermania jugperëndimore siguroi për herë të parë në histori ngjitjen në Bundesliga, pasi mposhti Preussen Münster me rezultatin 3-0 dhe e mbylli sezonin në vendin e dytë të Bundesligës së Dytë.

Për një skuadër nga një qytet me pak më shumë se 13 mijë banorë pranë Saarbrücken, ky sukses konsiderohet historik. E themeluar në vitin 1983 dhe me vetëm 7,500 anëtarë, Elversberg do të luajë sezonin e ardhshëm për herë të parë në elitën e futbollit gjerman.

Klubi kishte dhënë sinjale të forta edhe sezonin e kaluar, kur humbi ngjitjen në minutën e 95-të pas një goli dramatik të në play-off. Këtë herë, megjithatë, Elversberg nuk lejoi surpriza dhe siguroi promovimin direkt.

Rrugëtimi i tyre bëhet edhe më i jashtëzakonshëm duke marrë parasysh se në vitin 2022 skuadra luante ende në kategorinë e katërt të futbollit gjerman. Një nga arkitektët kryesorë të këtij projekti ishte Nils-Ole Book, i cili pas tetë vitesh te Elversberg u emërua në mars si drejtori i ri sportiv i Borussia Dortmund.

Klubi drejtohet nga familja Holzer që prej vitit 2011. Frank Holzer dhe familja e tij janë gjithashtu themeluesit e Ursapharm, kompania që ka mbështetur financiarisht ngritjen e jashtëzakonshme të Elversberg në futbollin gjerman.

Ndërkohë, SC Paderborn, që e mbylli sezonin në vendin e tretë, do të luajë play-off për ngjitjen në Bundesliga ndaj VfL Wolfsburg, skuadrës që përfundoi e 16-ta në elitë.

Top Channel