Ambasadori Meidani citon Gjergj Fishtën në prag të protestës në Shkup: Gjuhën t’uej kurr mos ta lini…

17/05/2026 14:02

Në prag të protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ambasadori i Shqipërisë në Shkup Denion Meidani ka përcjellë një mesazh simbolik përmes vargjeve të Gjergj Fishtës.

Në një postim në rrjetet sociale në kuadër të rubrikës së tij “#LeximFundjave”, Meidani ka ndarë pjesë nga poema “Gjuha Shqype” e poetit Gjergj Fishta, duke vënë theksin te rëndësia e gjuhës si element identitar.

Në vargjet e publikuara theksohet thirrja për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe unitetin mes shqiptarëve, gegë e toskë, si dhe roli i gjuhës në identitetin kombëtar.

Pra, shqypëtarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta…
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqypëtarë;
trimi n’za, sikurse jini.
”, citoi Meidani.

Postimi i ambasadorit vjen në një moment kur çështja e përdorimit dhe statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime dhe mobilizim nga studentët, të cilët kanë paralajmëruar protesta.

Mesazhi i Meidanit është interpretuar si një mbështetje morale ndaj kauzës së tyre, duke e vendosur theksin te gjuha si pjesë themelore e identitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.

Top Channel