Real Madrid zbret në stërvitje pas “luftës civile”, Valverde kthehet në fushë pas grushtit të Tchouameni
Çfarë është Final Four dhe si funksionon formati i ri.
Faza “Final Four” e Abissnet Superiores po zhvillon vitin e saj të tretë, por edicioni 2025-2026 ka sjellë një revolucion të vërtetë rregullativ. Ndryshe nga dy sezonet e mëparshme ku zbatohej sistemi me eliminim direkt (play-off), ky vit prezanton një format të ri sfidues. Pas 36 javëve të sezonit të rregullt, katër ekipet e renditura në krye e nisin fazën finale me pikët e grumbulluara të përgjysmuara (duke u rrumbullakosur në vlerën më të vogël në rastin e numrave tek). Ekipi që grumbullon më shumë pikë në këtë mini-kampionat shpallet kampion i Shqipërisë.
Ndërkohë që në fundin e tabelës verdiktet janë dhënë, me skuadra me traditë si Flamurtari, por edhe si Bylisi që ranë nga kategoria, e gjithë vëmendja tashmë përqendrohet tek beteja e madhe për titull. Duke qenë se Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo e mbyllën sezonin me numër tek pikësh, atyre u hiqet edhe nga një pikë gjatë përgjysmimit. Elbasani, i cili e mbylli me numër çift, ruan vlerën e plotë të gjysmës së pikëve.
Renditja me të cilën nis kjo fazë është:
Vllaznia: 31 pikë nga 63 pikë në sezonin e rregullt
AF Elbasani: 31 pikë nga 62 pikë nga sezoni i rregullt
Egnatia: 28 pikë nga 57 pikë nga sezoni i rregullt
Dinamo City: 22 pikë nga 45 pikë në sezonin e rregullt
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin kombëtar “Air Albania”, duke ofruar një kalendar intensiv:
16 Maj (19:00):* Vendi 1 vs Vendi 4 (Vllaznia – Dinamo City)
17 Maj (19:00):* Vendi 2 vs Vendi 3
23 Maj (19:00):* Vendi 1 vs Vendi 3
24 Maj (19:00):* Vendi 2 vs Vendi 4
29 Maj (19:00):* Vendi 3 vs Vendi 4
31 Maj (19:00):* Vendi 1 vs Vendi 2
Ndeshja e Parë: Vllaznia – Dinamo City (16 maj, ora 19:00)
Vllaznia: Fortesa e sezonit përballë provës së ndeshjeve në transfertë
Vllaznia është skuadra e parë që siguroi matematikisht pjesëmarrjen në Final Four, duke dominuar sezonin e rregullt dhe duke krijuar një diferencë të konsiderueshme ndaj ndjekësve. Nën drejtimin e trajnerit Edi Martini, një strateg i regjur, i njohur për sukseset e tij të jashtëzakonshme në krye të Teutës ku fitoi gjithçka në futbollin shqiptar, shkodranët vijnë me një identitet të qartë taktik dhe moral të lartë.
Statistikat e Vllaznisë në “Loro Boriçi” këtë sezon kanë qenë të frikshme: 44 pikë të grumbulluara nga 14 fitore, 2 barazime dhe vetëm 2 humbje, me mbrojtjen më të hekurt të kampionatit (vetëm 10 gola të pësuar si vendas). Megjithatë, “thembra e Akilit” për ta ka qenë loja jashtë shtëpisë, ku në 18 transferta morën vetëm 19 pikë (4 fitore). Fakti që i gjithë Final Four luhet në kryeqytet, është prova përfundimtare për djemtë e Martinit për të treguar se mund të fitojnë edhe larg Shkodrës.
Dinamo City: Potenciali ofensiv në kërkim të mrekullisë
Në krahun tjetër, Dinamo City mbërrin në këtë fazë si skuadra e katërt, por me sulmin më të rrezikshëm të kampionatit. “Nëndetësja” shënoi plot 27 gola vetëm në gjysmën e parë të sezonit (tre më shumë se Vllaznia dhe katër më shumë se Egnatia), udhëhequr nga nuhatja e Davi Bregut, autor i shtatë golave vendimtarë. Gjurmën e tyre të potencialit ofensiv e tregon më së miri fitorja më e thellë e sezonit, një 6-2 shkatërrues në derbin ndaj Tiranës.
Edhe pse e nisin fazën finale në disavantazh të dukshëm pikësh (vetëm 22), kualifikimi i tyre i ardhur pas një sprinti spektakolar në fund të sezonit, duke lënë jashtë Partizanin. Misioni për titull ngjan si një “malore” e vështirë, por në një mini-turne me ndeshje teke, Dinamo ka arsenalin e duhur për të prishur llogaritë e kujtdo.
Historiku i përballjeve: Një ekuilibër absolut
Kjo sfidë do të jetë akti i shtatë sezonal midis Vllaznisë dhe Dinamos, përfshirë këtu edhe përplasjet në Kupën e Shqipërisë. Historiku i gjashtë ndeshjeve të mëparshme flet për një ekuilibër të përsosur: nga dy fitore për secilën palë dhe dy barazime.
Në kampionat: Dy fitore për shkodranët, një për kryeqytetasit dhe një barazim.
Në Kupë: Dinamo arriti të triumfonte, duke i eliminuar shkodranët rrugës për në finale.
Çfarë pritet nga ky turne?
Final Four i sezonit 2025-2026 nuk është thjesht një turne përmbyllës; është arena ku përplasen katër ide të ndryshme futbollistike, me histori dhe ambicie të mëdha. Duke e përqendruar të gjithë aktivitetin në stadiumin “Air Albania”, garantohet një organizim elitar dhe standarde evropiane për ngjarjen më të rëndësishme sportive të vitit në vend.
Nga 16 deri më 31 maj, Shqipëria futbollistike do të mbajë frymën, në një garë që jo vetëm do të kurorëzojë kampionin e ri, por do të vizatojë edhe hartën e përfaqësimit tonë në kualifikueset e garave evropiane të UEFA-s.
Top Channel