Dita Ndërkombëtare e Familjes, ministrja Sala: Mbrojtja e fëmijëve në fokus të reformës sonë sociale

15/05/2026 17:15

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, në një bashkëbisedim me familjet kujdestare dhe birësuese në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të familjes në mirërritjen e fëmijëve dhe nismat që qeveria shqiptare po ndërmerr për forcimin e mbrojtjes sociale dhe kujdesit alternativ, me fokus fëmijën dhe rritjen e tij në një mjedis familjar të sigurt e të dashur.

“Familja është themeli i shoqërisë. Fëmijët janë pasuria jonë dhe çdo fëmijë meriton të rritet në një familje. Në një familje që jep dashuri, siguri dhe mbrojtje. Dhe kur është e pamundur që familja biologjike ta japë këtë mbështetje, është detyra jonë si shoqëri dhe institucion që t’i ofrojmë një familje, prandaj edhe familjet kujdestare dhe birësuese kanë një rol të veçantë në këtë drejtim”, u shpreh ministrja Sala.

Me fokus familjen dhe rëndësinë e saj në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, ministrja Sala solli në vëmendje politikat për fuqizimin dhe mbështetjen e familjes biologjike, ndërgjegjësimin e shoqërisë për birësimin, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, mbështetjen sociale për fëmijët dhe familjet, si dhe promovimin e kujdestarisë alternative për fëmijët në risk dhe jashtë kujdesit prindëror.

Ministrja theksoi rëndësinë e Ligjit të ri “Për Kujdesin Alternativ në Familje”, i cili krijon një mekanizëm të ri mbështetës për familjet kujdestare, duke i fuqizuar ato si alternativa më e mirë për rritjen e fëmijëve jashtë kujdesit prindëror. Ky ligj do të mbështesë financiarisht rreth 150 familje kujdestare profesionale, të cilat do të mirëpresin dhe kujdesen për rreth 150 fëmijë në ambientet e tyre familjare.

“Ligji i ri për Kujdesin Alternativ na ka ndihmuar duke na dhënë të gjithë bazën për të forcuar vërtet familjen dhe për t’u ofruar këtyre fëmijëve një ambient familjar, me dashuri, përkushtim dhe siguri. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë”, theksoi ministrja.

Në përfundim, ministrja Sala falënderoi të gjithë aktorët e përfshirë në mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve, veçanërisht familjet birësuese dhe kujdestare, partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si edhe stafet e institucioneve të përkujdesjes sociale për angazhimin dhe humanizmin e tyre.

Aktualisht, qeveria shqiptare po zbaton një sërë programesh në mbështetje të familjes dhe grupeve në nevojë. Përmes Skemës së Ndihmës Ekonomike mbështeten rreth 50 mijë familje, ndërsa Skema e Aftësisë së Kufizuar mbështet rreth 70 mijë fëmijë dhe të rritur. Rrjeti i Institucioneve të Përkujdesit Shoqëror Rezidenciale mbështet rreth 1,000 përfitues rezidencial në të gjithë Shqipërinë.

Përmes Fondit Social janë ngritur 98 shërbime sociale me rreth 46,500 përfitues në të gjithë vendin, si dhe 33 Qendra Multifunksionale Komunitare në mbrojtje të familjes, fëmijëve e të rinjve. Ndërsa, Programi i Mbrojtjes Sociale mbështet rreth 9,200 nëna dhe familjet e tyre përmes subvencionimit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Me De-Institucionalizimin po transformohen institucionet në Qendra të dedikuara për mbështetjen e familjeve dhe fëmijëve më në risk, më shërbime emergjence, alternative, e ditore, komunitare. Janë transformuar 2 Shtëpi Fëmijë ne Korçë e Vlorë dhe do të vijojë puna dhe në 7 të tjera.

Top Channel