Mocioni me debat për raportin e DASH dhe projekt-rezoluta e integrimit në BE/ PD kërkon Ramën në Kuvend: Duhet të jetë këtu, bëri fushatë me pasaportën europiane
Nënkryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme, Klevis Balliu, akuzoi mazhorancën dhe Kryeministrin Edi Rama se i mohuan sërish opozitës interpelancën për projektin “Smart City”, pasi sipas tij qeveria kërkon të fshehë “një aferë gjigante korruptive që cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balliu deklaroi se “Rama refuzon të përballet me Parlamentin sepse projekti “Smart City” përfshin një kontratë prej 118.5 milionë dollarësh që u dyfishua nga 60 milionë dollarë brenda pak muajsh, pa transparencë, pa garë dhe pa asnjë justifikim teknik apo financiar”.
Sipas Balliut, projekti nuk është thjesht një investim për sigurinë publike, por “krijimi i sistemit më të madh të survejimit masiv në historinë e Shqipërisë”, me mijëra kamera inteligjente, sisteme të njohjes automatike të targave dhe monitorim me inteligjencë artificiale në 20 qytete të vendit.
Deputeti demokrat deklaroi më tej se kompania që po implementon projektin, “Presight AI”, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, është përmendur në raportet dhe hetimet e Kongresit Amerikan për lidhje të dyshuara me struktura kineze të teknologjisë dhe survejimit.
“Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, po instalon një rrjet gjigant survejimi përmes një kompanie për të cilën vetë Kongresi Amerikan ka ngritur shqetësime serioze për lidhje me aparatin kinez të inteligjencës dhe survejimit. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare dhe Rama fshihet”, deklaroi Balliu.
Ai shtoi se qeveria nuk ka bërë publike asnjë analizë të rrezikut të sigurisë kombëtare, asnjë konsultim me aleatët strategjikë dhe asnjë garanci mbi ruajtjen dhe administrimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë.
Në përfundim, Balliu deklaroi se opozita nuk do të ndalet së kërkuari transparencë të plotë për projektin “Smart City”, duke e cilësuar atë si “një projekt korruptiv dhe kriminal që po ndërtohet mbi fshehtësi, survejim masiv dhe kapjen e institucioneve shtetërore”.
Top Channel