“Sigurimi nga katastrofat prioritet”, Ibrahimaj: Nevojiten politika afatgjata, fokusi jo vetëm tek buxheti i shtetit

14/05/2026 15:30

Shqipëria mbetet një nga vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore në Europë, ndërsa niveli i sigurimit vijon të jetë i ulët.

Në konferencën ndërkombëtare për menaxhimin e rreziqeve nga katastrofat natyrore, ekspertë dhe përfaqësues institucionesh ngritën shqetësimin për mungesën e mekanizmave të qëndrueshëm financiarë në Shqipëri.

 “Ne nuk duhet të përqendrohemi te politikat afatshkurtra apo afatmesme. Qeveritë duhet të përqendrohen te politikat afatgjata, të cilat ruajnë stabilitetin dhe sigurinë ekonomike, stabilitetin fiskal dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

“Duhet ta pranojmë se mekanizmat financiarë janë ende të papërgatitur për përballimin e katastrofave dhe mbeten akoma shumë të kufizuar. Në shumë raste, kryesisht vendi mbështetet në rialokimet buxhetore, huamarrja apo ndihma e donatorëve kur ndodhin fatkeqësitë, prandaj forcimi i kulturës së sigurimit dhe zgjerimi i mbulimit ndaj fatkeqësive natyrore mund të konsiderohet një prioritet kombëtar”, tha Milva Ikonomi, kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka njohur rritje gjatë viteve të fundit, por penetrimi mbetet vetëm 1 për qind.

“Sektori i sigurimeve në Shqipëri është rritur, duke u shndërruar në një treg më të diversifikuar dhe më të zhvilluar. Sot, në tregun e sigurimeve ushtrojnë aktivitetin 13 shoqëri sigurimi, ndërsa vëllimi i primeve të shkruara bruto në vitin 2025 ka arritur në rreth 280 milionë euro. Dendësia e sigurimeve është rritur në 120 euro për frymë ndërkohë që niveli i penetrimit të tregut mbetet 1%. Sigurimi duhet të konsiderohet si investim. Për të zvogëluar këtë cenueshmëri sistemike na duhet një ndërmarrje më e lartë e sigurimeve, ndërgjegjësim më i gjerë, kanale shpërndarjeje më solide, produkte që qytetarët i kuptojnë, mund t’i besojnë dhe më thelbësorja t’i përballojnë”, u shpreh Adela Xhemali, kryetare e AMF.

Rritja e nivelit të sigurimeve sipas ekspertëve është I rëndësishëm në Shqipëri për shkak të përfshirjes nga tërmete, përmbytje, rrëshqitje toke dhe rreziqe të tjera të lidhura me klimën.

 

 

Top Channel