Klubi i Tiranës po kalon një nga momentet më të vështira financiare dhe administrative të viteve të fundit, teksa zyrat e FIFA-s janë kthyer në një makth të vërtetë për bardheblutë.

Edhe pse u duk se situata u stabilizua gjatë janarit, kur klubi shlyeu detyrimet për të afruar lojtarë të rinj, prapambetjet financiare janë rikthyer me një goditje të dyfishtë.

Gjashtë dosje të humbura dhe merkato e “ngrirë”

Zyrtarisht, Tirana ka humbur gjashtë çështje në dhomën e zgjidhjes së konflikteve në FIFA, të cilat lidhen kryesisht me rroga të papaguara ndaj ish-anëtarëve të ekipit. Situata është rënduar ndjeshëm vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ku listës i janë shtuar edhe katër raste të reja. Pasoja e menjëhershme është bllokimi i merkatos, duke e bërë të pamundur për drejtuesit që të regjistrojnë përforcime për sezonin e ri pa zgjidhur më parë këto nyje financiare. Vendimi i parë negativ i këtij viti daton më 3 mars, ndërsa goditja më e fundit administrative është regjistruar më 8 maj.

Kush tjetër është në “listën e zezë”?

Ndonëse Tirana mban peshën kryesore të problemeve, ajo nuk është e vetmja nga Superiorja që figuron në listat e FIFA-s. Megjithatë, krahasuar me kryeqytetasit, klubet e tjera paraqiten në gjendje më të lehtë:

KF Tirana: 6 çështje aktive dhe merkato e bllokuar.

Vllaznia: 1 çështje e hapur.

Bylisi: 1 çështje e hapur.

Bilanci sportiv në mëshirë të financave

Ky kolaps administrativ vjen pas një sezoni tejet të vështirë në fushën e lojës. Tirana luftoi deri në ndeshjen e fundit të kampionatit për të siguruar mbijetesën, një situatë e pazakontë për një klub me ambicie të tilla. Në fund, ekipi arriti të renditet në vendin e gjashtë me 44 pikë, por paqja sportive duket se do të prishet sërish nga problemet e vjetra të rrogave të papaguara.

Tashmë, topi mbetet në fushën e presidencës bardheblu, i cili duhet të gjejë sërish rrugën e shlyerjes së gjashtë dosjeve për të evituar një paralizë totale të skuadrës përpara fillimit të përgatitjeve të reja.

Top Channel