Presidenti i Real Madridit shpërthen në një konferencë sureale, duke sulmuar rivalët dhe shtypin, ndërsa Barcelona i përgjigjet: “Është patetike”.

Presidenti i Real Madridit ka dhuruar një shfaqje të pazakontë, duke sulmuar ashpër rivalët dhe gazetarët, si dhe duke lëshuar vërejtje me nota mizogjene. Reagimi i Barcelonës ishte i menjëhershëm përmes zëvendëspresidentit Yuste, i cili deklaroi: “Kjo është thjesht një perde tymi për të mbuluar katastrofën sportive të viteve të fundit.”

“Perandori është lakuriq”, kjo metaforë e përdorur nga El Mundo dhe El Periódico përshkruan më së miri konferencën tronditëse për shtyp të Florentino Pérezit. Konteksti historik e bën këtë ngjarje edhe më të rëndë: presidenti i Realit nuk kishte mbajtur një konferencë të tillë që nga viti 2015. Takimi, i lajmëruar vetëm dy orë para fillimit, u karakterizua nga vrulli dhe tërbimi.

Gjatë 64 minutave, Florentino qëndroi i vetëm në skenë, një karrige, një mikrofon dhe një shishe ujë, duke artikuluar mijëra fjalë, jo të gjitha me kuptim të qartë. Ai përsëriti dhjetëra herë të njëjtat koncepte: refuzimin për të trajtuar çështjet sportive, trajnerin e ri, rezultatet e dobëta dhe “rastin Mbappé”. Imazhi i tij e ka lënë Spanjën në gjendje shoku. Ndërsa në Barcelonë po qeshin me këtë shfaqje të dobët, në Madrid mbretëron dëshpërimi dhe shqetësimi, duke pasur parasysh se Pérez është një nga sipërmarrësit më të fuqishëm në vend, me kompaninë e tij ACS që punëson 170,000 njerëz.

Shprehje të papërshtatshme dhe sulme personale

Gjatë fjalimit, Pérez nuk u kursye në komente fyese. Për një artikull opinioni në gazetën ABC, ai u shpreh: “Është shkruar nga një grua që nuk di asgjë për futbollin.” Më pas, duke iu drejtuar një lojtareje profesioniste, shtoi: “Le t’i bëjmë një pyetje kësaj zonjushe, sepse ju të tjerët jeni të shëmtuar.” Ai sulmoi edhe rivalin e tij të mundshëm për presidencën, Enrique Riquelme, duke e cilësuar si “një djalë me theks meksikan që kërkon të marrë klubin”. Duhet theksuar se zgjedhjet në klub nuk janë mbajtur që nga viti 2006, pasi kërkesat statutore (20 vite anëtarësi dhe garanci financiare prej 185 milionë eurosh nga asetet personale) janë pothuajse të pamundura për t’u plotësuar nga të tjerët.

Akuzat ndaj Barcelonës dhe çështja “Negreira”

Pérez sulmoi drejtpërdrejt ish-partnerin e tij të Superligës, Joan Laporta, lidhur me çështjen “Negreira”: “Është skandali më i madh i korrupsionit në historinë e futbollit. Kemi një dosje prej 500 faqesh gati për UEFA-n. Që nga viti 2000, kemi fituar shtatë tituj të Ligës së Kampionëve, por vetëm shtatë kampionate spanjolle, sepse shtatë të tjerë na i vodhën.” Ai shtoi se këtë vit, gjyqtarët i kanë hequr Realit 18 pikë.

Reagimi i Barcelonës

Rafa Yuste, i cili menaxhon klubin deri në fillimin e mandatit të ri të Laportës, u përgjigj prerë: “Fjalët e Florentinos ishin patetike dhe plot gënjeshtra. Ai po tenton të mbulojë dështimet e tij. Pretendimi se shtatë tituj janë vjedhur është tërësisht i rremë dhe departamenti ynë ligjor po shqyrton veprimet e mëtejshme. Ndjeva mëshirë për të teksa e shihja.”

Lufta me shtypin dhe gjendja shëndetësore

Presidenti i Madridit sulmoi gjithashtu mediat, duke i quajtur “intelektualë të regjimit” dhe duke njoftuar anulimin e abonimit në gazetën ABC. Mes shpërthimeve të ironisë dhe konfuzionit verbal, ai foli edhe për shëndetin e tij: “Thonë se jam i lodhur, por jam mirë. Një mik më rekomandoi një mjek kinez për raste terminale, por unë sfidoj çdo onkolog të thotë se më ka trajtuar. Për të më larguar nga këtu, do të duhet të më qëllojnë.”

Një imazh surreal

Në fund, pavarësisht përpjekjeve të zyrtarit të shtypit për ta mbyllur konferencën, Pérez refuzoi të largohej. Ishte një skenë absurde, larg vlerave të “Madridizmit” që ai vetë pretendon se mbron. Spanja mbeti e turpëruar nga ky spektakël i papritur i “Liderit Suprem”.

Top Channel