Me muze pas gjysmë shekulli, inxhinieri që hodhi themelet e muzeut arkeologjik në Durrës rikthehet si vizitor

13/05/2026 16:58

Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka hapur një kapitull të ri dhe bashkë me të edhe emocionet e atyre që e ndërtuan.

Mes qindra vizitorëve, spikat 82-vjeçari Jashar Luku, një nga inxhinierët ndërtues që hodhi themelet e kësaj godine në vitin 1973. Ai sot kthehet pas gjysmë shekulli për një takim plot emocione me historinë, ndërsa i bën homazh edhe arkeologut ikonë Vangjel Toçi.

“Mbas 53 vitesh po hyj këtu. Është mrekulli sot… e vlen dhe më shumë se kaq. Durrësi 2500-vjeçar e më shumë është këtu. Vangjel Toçi, ikona e Durrësit meriton shumë të jetë në bashë të vendit, busti i tij duhet të ngrihet në majë të ‘Velierës'”, shprehet Luku.

Hapja e Muzeut është shoqëruar me interes të lartë. Vendas e të huaj, të mëdhenj e të vegjël vijnë çdo ditë për të parë muzeun dhe prekur historinë mijëravjeçare të qytetit.

“Interes i lartë pasi siç u deklarua do të jetë për dy javë i hapur pa biletë… hyrja është e lirë për këdo që do të vijë të shikojë Muzeun tashmë të rinovuar dhe krejtësisht ndryshe”, tha Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrws Muzeore Durrës.

Kryefjala e rihapjes së Muzeut mbetet “Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku simbol që ende nuk është i vizitueshëm për publikun. Ai do të montohet si një pazëll delikat, për t’u shndërruar sërish në xhevahirin e qytetit bregdetar.

“Bukuroshja u kthye në Durrës mbasi qëndroi për 40 e ca vjet në Tiranë… është një punë delikate, po bëhet rivendosja si një pazëll dhe do të jetë një vepër që do të nderojë muzeun dhe gjithë qytetin e Durrësit”, shprehet Ramohitaj.

Ky proces restaurimi i është besuar restauratorëve me përvojë, që e konsiderojnë atë si një detyrim ndaj trashëgimisë sonë kombëtare. Muzeu do të vijojë të presë vizitorët me hyrje të lirë edhe në ditët në vazhdim, duke shënuar nisjen e një sezoni të ri turistik e kulturor për qytetin e lashtë.

Top Channel