“Ai ishte një përbindësh, Neverland ishte ferri ynë”, dëshmi tronditëse dhe akuza për abuzim kundër Michael Jackson

13/05/2026 07:39

Akuza të reja tronditëse për abuzim seksual ndaj të miturve janë ngritur kundër Michael Jackson, përmes një interviste të transmetuar në emisionin australian “60 Minutes Australia”, ku katër anëtarë të familjes Cascio pretendojnë se kanë qenë viktima të abuzimit dhe manipulimit për dekada me radhë.

Eddie, Aldo, Dominic dhe Marie-Nicole Cascio, të cilët për vite konsideroheshin pjesë e rrethit më të afërt të këngëtarit, rrëfyen se marrëdhënia me yllin e muzikës nisi në vitet 1980, pasi babai i tyre u njoh me Jackson në një hotel në New York. Sipas tyre, miqësia u kthye shpejt në një lidhje shumë të afërt familjare, me udhëtime të shumta dhe qëndrime të shpeshta në ranch-in e famshëm Neverland.

Në intervistë, Eddie Cascio deklaroi se abuzimi ndaj tij nisi kur ishte 11 vjeç, gjatë turneut “Dangerous” në vitin 1993. Ai pretendon se Jackson filloi ta prekte ndërsa flinin në të njëjtin shtrat, ndërsa përshkroi edhe puthjen e parë që, sipas tij, ndodhi gjatë asaj periudhe.
Edhe Dominic Cascio bëri akuza të rënda, duke e quajtur këngëtarin “përbindësh” dhe duke pretenduar se ai përdorte lojëra dhe manipulime psikologjike për të abuzuar me fëmijët. Ndërkohë, Marie-Nicole tha se Jackson e detyroi të zhvishej kur ishte vetëm 12 vjeçe dhe pretendoi se i ishin dhënë ilaçe si Xanax dhe Vicodin në moshë të vogël.
Sipas dëshmive të familjes, abuzimi dyshohet se ka vazhduar për rreth 25 vjet dhe përfshinte incidente në Neverland Ranch, gjatë turneve muzikore dhe në udhëtime private me avion.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të pasurisë së Michael Jackson i kanë mohuar kategorikisht akuzat. Avokati Marty Singer deklaroi se pretendimet janë “një përpjekje për përfitim financiar” dhe theksoi se ato po publikohen më shumë se 15 vjet pas vdekjes së artistit.

Top Channel