Për një javë në Berlin po mbahet Festivali i Filmit Shqiptar “Fly Like an Eagle”.
Babylon Berlin, në zemër të kryeqytetit gjerman, foli shqip, duke shfaqur për publikun ndërkombëtar 20 filma shqiptarë, nga klasikët e restauruar të Kinostudios “Shqipëria e Re”, deri te krijimet më të fundit të kinemasë moderne shqiptare, dokumentarë dhe filma të shkurtër.
Një mbrëmje e veçantë ishte shfaqja e filmit “Vdekja e Kalit”, i parë prodhim kinematografik antikomunist që u prodhua pas rënies së diktaturës në Shqipëri, me praninë e vetë protagonisit, aktorit Timo Flloko.
Flloko shpjegoi për të pranishmit si ky film i 34 viteve më parë pasqyron periudhën e trazuar të tranzicionit shqiptar dhe shembjen e strukturave të vjetra përmes një narrative të fuqishme artistike.
“Agroni përfaqëson ndërgjegjjen individuale përballë ideologjisë komuniste. Edhe kuajt… nuk janë thjesht kafshë, por janë viktimat e njerëzve të pafajshëm”, u shpreh Timo Flloko.
I pyetur nga të rinjtë që mbushën sallën Babylon, aktori tregoi detaje nga realizimi i filmit, bisedat me regjisorin Saimir Kumbaro dhe ‘skemën’ për t’i shpëtuar censurën.
“Piro Mani për shembull vinte një rrotë në mes të filmit dhe kur e shihte komisioni thoshte ‘ajo rrota çfarë do aty’. Dhe harronin të flisnin për shfaqjen, se merreshin me rrotën. Edhe te ‘Vdekja e kalit’ u morën me puthjen. Më thotë Saimiri ky që spiunon në fund bëhet deputet. I thashë ‘mos e bëj qesharake tani’. Unë isha kundër. Ia tha Niko Kanxherit. Kur doli momenti final që takohen këta të dy, njëri largohet jashtë shtetit, ndërsa ky tjetri mbetet i vetëm”, shtoi Flloko.
Festivali riktheu në ekran klasikët e Kinostudios “Shqipëria e Re”, por edhe produksione bashkëkohore shqiptare, duke krijuar një urë mes së kaluarës dhe brezit të ri të autorëve të filmit.
Top Channel