Dita Botërore e Infermierëve, ministrja Sala: Asnjë reformë nuk ka vlerë pa profesionistë

12/05/2026 12:55

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala në Konferencën Kombëtare të Profesionistëve të Shëndetësisë vlerësoi misionin dhe kontributin e infermierëve, mamive, teknikëve dhe gjithë profesionistëve të kujdesit shëndetësor në forcimin e sistemit shëndetësor në vend, ndërsa theksoi se roli i tyre është i pazëvendësueshëm në garantimin e kujdesit cilësor për qytetarët.

“Sot, në një sistem shëndetësor që po transformohet me ritme të shpejta, roli i infermierëve, mamive, teknikëve dhe gjithë profesionistëve të kujdesit shëndetësor është më i rëndësishëm se kurrë. Ata janë profesionistët që garantojnë vazhdimësinë e kujdesit, sigurinë e pacientit dhe funksionimin e përditshëm të sistemit tonë shëndetësor. Asnjë reformë, asnjë investim në infrastrukturë apo teknologji nuk ka vlerë të plotë pa profesionistët që i japin jetë sistemit me punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre”, u shpreh ministrja Sala.

Ministrja Sala u ndal edhe tek roli i teknologjisë dhe inovacionit në krijimin e mundësive të reja për një shërbim më cilësor dhe më efikas, ku përmendi kartelat elektronike, inteligjencën artificiale dhe platformat digjitale, ndërsa theksoi se në çdo hap të këtij transformimi, thelbësore mbetet ruajtja e dimensionit njerëzor në shëndetësi.

Në këtë linjë, duke u ndalur tek reformat dhe procesi i modernizimit të sistemit shëndetësor, ministrja theksoi se objektiv kryesor mbetet ndërtimi i një sistemi më modern dhe më digjital, por mbi të gjitha më njerëzor, më të besueshëm dhe më pranë qytetarit.

“Një sistem shëndetësor modern ndërtohet mbi profesionistë të motivuar, të trajnuar dhe të mbështetur. Për këtë arsye, prioriteti ynë mbetet investimi tek edukimi i vazhdueshëm, përmirësimi i kushteve të punës, modernizimi i praktikave të kujdesit shëndetësor, digjitalizimi i shërbimeve dhe krijimi i një sistemi që e ndihmon profesionistin të fokusohet më shumë tek pacienti”, theksoi ministrja Sala.

Konferenca Kombëtare e Profesionistëve të Shëndetësisë u organizua nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, në kuadër të Ditës Botërore të Infermierëve, një aktivitet që sjell në qendër rolin dhe kontributit të infermierëve.
Aktualisht, në sistemin shëndetësor publik në Shqipëri janë punësuar 11. 052 teknikë të shkencave mjekësore, 8499 prej të cilëve kanë aplikuar përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”.

 

 

Top Channel