Rekordi i Joao Cancelo, i pari që fiton 4 nga 5 ligat e mëdha evropiane, por nuk i del e keqja me Al Hilal

11/05/2026 13:20

Joao Cancelo, perandori i Kontinentit të Vjetër. Fitorja e Barcelonës në El Clasico ndaj Realit të Madridit që sollit edhe titullin e 29 për skuadrën katalanase i dha mundësinë mbrojtësit portugez që bëhet futbollisti i parë që fiton 4 tituj në 5 ligat e mëdha evropiane.

Në palmaresin e 31 vjeçarit mungon vetëm titulli i Ligue 1, kampionat ku nuk ka luajtur asnjëherë.

Edhe pse nuk është një prej 5 kampionateve kryesore në Evropë, titulli i parë për Cancelo erdhi në një ligë shumë të respektueshme siç është ajo portugeze. Në 2013/14, Cancelo luajti 65 minuta kundër Portos, të mjaftueshme për të për të fituar titullin. Nga Portugalia kaloi te Valencia, ku qëndroi 3 vjet pa fituar. Që aty portugezi u transferua në Serie A te Interi e më pas te Juventus. Dhe pikërisht me fanelën bardhezi ai u shpall kampion i Italisë në sezonin 2018/19, i pari titull i fituar në 5 ligat e rëndësishme evropiane. Një vit më vonë u transferua te Manchester City me të cilin fitoi dy tituj të Premier League(2020-21 e 2021-22).

Në janar të 2023, Cancelo transferohet te Bayerni i Mynihut, e vetmja eksperiencë e tij në Gjermani deri tani. Në 6 muaj qëndrimi të tij te bavarezët, fitoi një titull dramatik të Bundesligës. Në javën e fundit Borussia Dortmund ishte  2 pikë para, por barazoi 2-2 me Mainz, ndërsa Bayerni fitoi 2-1 ndaj Këlnit. Edhe pse me pikë të barabarta ishte Bayerni që festoi titullin. Në korrik të 2023 u kthye formalisht te Manchester City që e transferon me huazim te Barcelona, një eksperiencë që nuk ishte shumë pozitive kështu që u kthye te Manchester City në gusht të 2024 për t’u shitur te Al Hilal për 25 milionë euro. Por në janar të 2026 Joao Cancelo u kthye te Barcelona me huazim deri në fund të sezoni. Portugezi u bë një element i rëndësishëm për skemën e Flick duke fituar edhe titullin e tij të parë në La Liga.

Pas triumfit me blaugranat, Joao Cancelo ende nuk i ka dalë e keqja me Al Hilalin në Arabinë Saudite. ‘Dikush te Al Hilal më gënjeu-tha Joao Cancelo pas ndeshjes-më thanë se do të më përfshinin në skuadrën e Ligës Saudite, por më lanë jashtë. Kështu që vendosa të largohem dhe tani jam këtu, fitova një titull me Barcelonën dhe jam i lumtur. Për mua Barcelona është klubi më i madh në botë’

Top Channel