Dhuna ndaj ish-kryetarit të PD-së në Lezhë, gazetari jep detajet në ‘Top Story’: Një makinë i preu rrugën, dy persona me shkop bejsbolli…

11/05/2026 21:23

Një ngjarje e paprecedentë ndodhi mbrëmjen e 9 majit ku Sokol Toma, ish-kryetari i PD në Lezhë, u dhunuar në mënyrë barbare nga disa persona, duke i shkaktuar fraktura të shumta. 

Në një lidhje live në Top Story nga Spitali i Traumës, gazetari Eraldo Harlicaj tregoi më shumë për gjendjen e tij dhe shkakun e kësaj ngjarje të rëndë.

“Është jashtë rrezikut për jetën, por ka dëmtime të shumta, fraktura në të dyja këmbët. Njërën e ka të thyer dhe tjetrën të krisur. Ka edhe frakturë te parakrahu. Nga goditjet që ka marrë dhe hematomat në trup, ka pasur dëmtime edhe në vesh.

Pasditen e djeshme, Sokol Toma është nisur nga Këzha në Tiranë për një takim me disa arkitektë. Më pas është kthyer sërish në Lezhë. Pranë autostradës Mamurras-Laç, një makinë i ka prerë rrugën. Kur ai ka ndaluar, dy persona të maskuar e kanë dhunuar rëndë fizikisht. Dyshohet se kanë qenë me çekiç dhe shkop bejsbolli.

Zona ka qenë pa kamera dhe momenti i sulmit nuk është identifikuar ende. Ai ka dhënë edhe dëshminë para oficerëve të policisë, por nuk ka qenë bashkëpunues. Ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.

Po hetohen dy pista. E para lidhet me pjesën politike, pasi ka qenë kryetar i PD-së në Dajç dhe së fundmi ka pasur përplasje edhe me deputetë të PD-së që janë në Parlamentin e Shqipërisë. Kjo pistë ka rënë nga ana e policisë, pasi përplasjet nuk kanë shkuar në nivel personal.

Dyshimet kryesore lidhen me veprimtarinë e tij në fushën e ndërtimit. Mendohet se ka pasur përplasje për këtë industri. Ai është dënuar më parë nga gjykata, kur ishte drejtor Urbanistike në Lezhë. Është dënuar me 1.4 vite burg, dënim që u konvertua në shërbim prove.

Ndërkohë vitin e kaluar, një nga punëtorët e tij ka humbur jetën në kantier”, u shpreh gazetari Harlicaj.

Top Channel