Barcelona mbrëmjen e së dielës fitoi titullin kampion të La Ligas për herë të 29 në historinë, një triumf që ka një shije të veçantë duke qenë se erdhi duke mundur rivalët e përjetshëm të Realit të Madridit.

Tifozë të shumtë vërshuan në rrugët e qytetit për të festuar këtë titull mëse të merituar të katalanasve, që ishte i dyti radhazi me Hansi Flick në pankinë.

Duke qenë se shatërvani i famshëm Canaletas ishte i bllokuar për shkak të punimeve që po bëhen për rikonstruksionin e La Rambla, tifozët e Barcelonës iu drejtuan Sheshit Catalunya për të festuar suksesin, në një mbrëmje ku nuk munguan as koret thumbuese në drejtim të Realit të Madridit

Në një ditë kaq të vështirë dhe të komplikuar për Hansi Flick që humbi babain e tij një natë përpara, tifozët padyshim që u kujtuan edhe për trajnerin e skuadrës së tyre duke e falënderuar dhe duke kujtuar në të njëjtën kohë se me gjermanin, Barcelona ka fituar 5 nga 6 titujt në Spanjë në 2 vjet.

Në këtë festë të zjarrtë të Barcelonës morën pjesë edhe dy prej lojtarëve të Barcelonës, Marc Casado dhe Alejandro Balde, që iu bashkuan entuziazmit të të pranishmëve në shesh pas mbylljes së ceremonisë së dorëzimit të trofeut dhe festës në fushën e Camp Nout. Dy futbollistët u përzienë me turmën, duke kënduar dhe kërcyer për fitoren e dytë radhazi dhe të tretin në 4 vitet e fundit.

Top Channel