Kuqezinjtë nuk e lejojnë dot asnjë hap fals sonte kundër Atalantës: Leao do të jetë në krah të meksikanit Gimenez.

Në një natë delikate për sezonin e Milanit, ku kualifikimi në Ligën e Kampionëve mbetet ende në lojë, tensioni te kuqezinjtë është i jashtëzakonshëm. Dje, para selisë së klubit në “Via Aldo Rossi”, kanë nisur protestat kundër pronarëve, ku u shfaqën dy pankarta me mesazhe të qarta: “Të burgosur të një mjedisi të sëmurë: ju lutemi largohuni. Ne tifozët jemi AC Milan”, shkruhej në njërën prej tyre. Ndërsa tjetra rendiste parimet e “Milanizmit”, duke theksuar mbi të gjitha konkurrueshmërinë. Shkurtimisht, Milani duhet të kthehet të luajë për të fituar dhe nuk duhet të kënaqet me një vend të thjeshtë të katërt, të cilin tani duhet ta mbrojë nga sulmi i Romës, që ndodhet vetëm tre pikë pas.

Massimiliano Allegrin e ndajnë vetëm gjashtë pikë nga rikthimi në Ligën e Kampionëve, ndaj kundër Atalantës në “San Siro” (ora 20:45), pikët e plota janë detyrim. Pas humbjes ndaj Sassuolos, formacioni do të ketë shumë ndryshime: Fofana ulet në stol për t’i bërë vend Loftus-Cheek, ndërsa Ricci do të jetë në qendër të mesfushës. Në sulm, për shkak të dëmtimit të Pulisic, Leao do ta nisë nga minuta e parë përkrah Santiago Gimenez.

Presioni është i lartë, por Curva Sud ka njoftuar se do ta mbështesë ekipin gjatë gjithë 90 minutave. Megjithatë, para dhe pas ndeshjes, priten banderola dhe thirrje kundër pronarëve aktualë. Shënjestra kryesore mbetet CEO i klubit, Giorgio Furlani, i cili pritet të jetë sërish njeriu përgjegjës për të ardhmen e kuqezinjve. Një vit pas lëvizjeve të fundit, Milani përballet me një tjetër valë protestash, me të vetmin ngushëllim se kualifikimi në Champions është shumë pranë.

Top Channel