Tensioni i jashtëzakonshëm i “El Clasico-s” ka shpërthyer në dhunë ende pa nisur sfida, duke njollosur rrugëtimin e skuadrës madrilene drejt stadiumit.

Gjatë kalimit mes qindra tifozëve të Barcelonës, autobusi që transportonte yjet e Real Madridit ka rënë pre e një breshërie objektesh dhe sendet e forta kanë shkaktuar thyerjen e një prej xhamave anësorë. Skenat kaotike kanë detyruar policinë të ndërhyjë me shpejtësi për të krijuar një kordon sigurie, ndërsa lojtarët e Carlo Ancelottit janë parë të tronditur brenda mjetit, ndonëse fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.

Ky incident i rëndë vjen si pasojë e një atmosfere tejet armiqësore që ka mbretëruar në qytet gjatë gjithë ditës, duke e kthyer këtë përballje në një çështje të sigurisë kombëtare. Pavarësisht dëmeve materiale dhe presionit psikologjik, delegacioni i “Los Blancos” ka mbërritur në stadium nën masa të rrepta, por imazhet e xhamave të thyer kanë bërë xhiron e botës si një dëshmi e turpshme e asaj që duhet të ishte një festë futbolli. Tashmë pritet një reagim zyrtar nga La Liga, ndërsa në fushën e blertë pritet që ky tension të përkthehet në një luftë akoma më të ashpër sportive mes dy rivalëve të përjetshëm.

Top Channel