Antonio Conte në stolin e Napolit dhe për një sezon të tretë, është i mundur; kërkesat e trajnerit në merkato dhe hipoteza e rinovimit

10/05/2026 12:58

Teksa është shumë pranë kualifikimit në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, te Napoli po mendohet për të ardhmen. Padyshim ai që po ‘mban peng’ napoletanët është Antonio Conte dhe e ardhmja e tij.

Sipas të përditshmes ‘Il Mattino’ trajneri  në ditët e ardhshme do të takojë presidentin De Laurentiis për të vendosur çfarë do të bëhet. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, gtrajneri salentin ka shfaqur disponibilitetin e tij për të qëndruar edhe për një sezon të tretë te Napoli por me kushtin që të mos ketë reduktime drastike.

Conte është i bindur se me grupin aktual, pa revolucione të bujshme mund të ketë shumë gëzime. Pra 56 vjeçari është gati të ngrejë një mur dhe është gati të marrë në konsideratë edhe shitjen e Lukakur si dhe një reduktim të kufirit të pagave, një reduktim që duhet të jetë i ekuilibruar dhe që nuk parashikin shitje të emrave të rëndësishëm. Me këtë skenar, kompromisi me De Laurentiis për të vijuar së bashku, është i mundur duke marrë parasysh sidomos faktin se janë edhe klube të tjera që janë vënë në gjurmët e Contes. Dhe në këtë moment edhe pista e Kombëtares Italiane duket se është ftohur për Antonio Conten.

Me fjalë të tjera, qëndrimi i Contes te Napoli është mëse i mundshëm  dhe duke qenë se trajnerit nuk i pëlqen të punojë me një kontratë në skadencë, është e mundur që në rast konfirmimi edhe për një sezon tjetër, do të vijë rinovimi deri në 2028, ndoshta duke shpërndarë pagën prej 7.5 milionë euro. Nëse nuk do të arrihet marrëveshja për programet, nuk do të ketë asnjë lamtumirë traumatike.

Top Channel