Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është rikthyer sërish Gjykatës së Lartë, të cilës i kërkon ta lirojë. Nëpërmjet rekursit të depozituar në datën 6 maj, mbrojtja e Veliajt kërkon zëvendësimin të masës arrest në burg, dhe si mundësi sugjerohen masa më të buta, sikurse detyrimi me paraqitje ose garancia pasurore. Gjykata e Lartë ka hedhur shortin dhe si relatore është caktuar gjyqtarja Albana Boksi.

Kryebashkiaku Veliaj aktualisht po përballet me drejtësinë në Gjykatën Antikorrupsion si një i akuzuar i SPAK për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, dyshime për të cilat nga shkurti 2025 ai mbahet i paraburgosur.

Mbas kërkesës së 11 të pandehurve për gjykim të shkurtuar, sosja me 30 të akuzuar është ndarë në dy pjesë, raporton për Top Channel gazetarja Anila Hoxha. Njëra prej tyre, ku është ish-deputetja Klotilda Bushka dhe disa biznesmenë. Në tjetrën, që është me gjykim të zakonshëm, në të cilën është edhe Veliaj, do të ketë sërish seancë të parë që hapet nga fillimi në datën 26 maj.

Avokatët e Veliajt kanë kërkuar njëlloj si në gjykimin administrativ që edhe çështja penale të transmetohet drejtpërdrejt, ndërsa insistojnë përballjen me gjykatën jo në kafazin e qelqtë, por në sallë.

Sakaq, kërkesa e tij e fundit e datës 6 maj u regjistrua menjëherë mbasi kolegjet e bashkuara u shprehën me vendim për qasjen që duhet të mbajë gjyqësori në raport me masat e sigurimit personal, ku sipas gjykatës arresti në burg duhet të jetë mundësia e fundit dhe duhet të argumentohet edhe nga prokuroria dhe gjyqtarët rrezikshmëria duke u bazuar në personalitetin e të dyshuarit.

Gjykata e Lartë orientoi se drejtësia duhet të aplikojë masat e tjera dhe se barra e provës për akuzat i takon prokurorisë.

Top Channel