Takimi mes Rubios dhe Melonit në Romë, në qendër të diskutimeve kriza në Lindjen e Mesme dhe liria e lundrimit në Hormuz
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për ekzekutimin e mafiozit grek Giorgos Moschouris, ndërsa autoritetet greke kanë rindërtuar lëvizjet e grupit që dyshohet se organizoi atentatin në zonën e Halandri.
Në qendër të hetimeve ndodhet një pajisje GPS e fshehur brenda një doreze kirurgjikale, e cila sipas hetuesve mund të përmbajë prova të rëndësishme për aktivitetin e organizatës kriminale dhe objektiva të tjerë që dyshohet se ishin planifikuar për t’u goditur.
Ajo që ka ngritur dyshime te autoritetet është mënyra e sofistikuar që dyshohet se përdornin anëtarët e grupit për të shmangur gjurmimin.
Njëri prej të arrestuarve mbante me vete pesë telefona celularë të vendosur në “airplane mode”, si edhe dy routerë portativë, me qëllim shmangien e lokalizimit të sinjaleve telefonike.
Sipas mediave greke, pajisja GPS ishte fshehur brenda dorezës kirurgjikale për të mos lënë gjurmë gishtash apo materiale ADN-je.
Në dosjen hetimore përfshihet edhe një bisedë e përgjuar e njërit prej të dyshuarve, i cili gjatë komunikimit me një grua thuhet se është shprehur:
“Po, jam vrasës dhe hajdut, kam bërë çdo të keqe”.
Hetuesit grekë kishin më shumë se një vit që monitoronin lëvizjet dhe komunikimet e personave të përfshirë, ndërsa analiza e pamjeve filmike dhe materialeve të mbledhura nga njësitë speciale çoi në identifikimin e grupit që dyshohet se mori pjesë në atentat.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, autorët kishin hyrë në Greqi nga jashtë vendit dhe lëviznin me automjete “operative”, duke ndryshuar vazhdimisht veshjet dhe pamjen për të shmangur identifikimin.
Policia ka dokumentuar itinerarin e tyre që prej orëve të para të ditës së atentatit. Një prej automjeteve u identifikua fillimisht në orën 11:41, ndërsa më pas u regjistrua në zona të ndryshme të Athinës, përfshirë Haidarin, Egaleon dhe Aspropirgosin.
Rreth orës 13:47, dy automjete të përdorura nga grupi u filmuan në pikën e pagesës së Metamorfosis, ku autorët paguan cash për të shmangur gjurmët bankare.
Sipas hetimeve, në orën 14:00 automjetet mbërritën në Halandri, pranë klinikës private ku ndodhi ekzekutimi i “Thamnakia”. Pak minuta më vonë, kamerat e sigurisë regjistruan lëvizjet e autorëve pranë skenës së krimit.
Hetuesit kanë rindërtuar edhe itinerarin e largimit pas atentatit, deri në momentin kur automjetet e përdorura u dogjën dhe autorët u larguan nga Greqia.
Për çështjen, autoritetet greke kanë arrestuar katër persona, mes tyre dy shtetas me origjinë shqiptare, Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si edhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë ndihmuar në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.
Top Channel