Timo Flloko në ekranin e Berlinit, “Vdekja e Kalit” hap festivalin e filmit shqiptar
Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë u inaugurua sot në edicionin e 61-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në La Biennale di Venezia, me prezantimin e veprës “A Place in the Sun” nga artisti Genti Korini, kuruar nga Małgorzata Ludwisiak.
Në fjalën e tij, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias përfaqëson një moment me peshë strategjike për afirmimin e identitetit kulturor të vendit në skenën ndërkombëtare.
Ai vuri në dukje se Pavijoni Kombëtar është një hapësirë ku Shqipëria artikulon mënyrën se si e kupton veten dhe si dëshiron të dialogojë me botën përmes artit bashkëkohor dhe mendimit kritik.
Duke iu referuar veprës së Genti Korinit, Ministri Gonxhja nënvizoi se “A Place in the Sun” sfidon kufijtë e komunikimit dhe perceptimit, duke e kthyer pavijonin në një hapësirë ku gjuha, historia dhe imagjinata bashkëjetojnë në mënyrë eksperimentale dhe reflektuese.
Nga ana e tij, artisti Genti Korini u shpreh se projekti i tij synon të hapë një hapësirë ku identiteti nuk paraqitet si një formë e mbyllur, por si një proces në vazhdim.
Sipas Korinit, përdorimi i gjuhës eksperimentale Zaum dhe strukturës së një “teatri fiktiv” e zhvendos shikuesin në një territor ku kuptimi nuk është i dhënë, por krijohet vazhdimisht përmes përplasjes së imazheve, tingujve dhe narrativave të fragmentuara. Ai theksoi se Shqipëria në këtë vepër nuk shfaqet si një imazh i fiksuar, por si një hapësirë e hapur interpretimi, e ndërtuar mbi projeksione historike dhe bashkëkohore.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ministrit Gonxhja iu kushtua rolit të artit si forcë transformuese në shoqëri. Ai u shpreh se Shqipëria po ndërton një model të ri të ndërveprimit kulturor, ku arti nuk shihet si dekor, por si një mjet i fuqishëm për zhvillim, reflektim dhe dialog ndërkombëtar.
Ministri theksoi gjithashtu rihapjen e shumëpritur të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke e cilësuar atë si një moment kyç institucional. Sipas tij, institucioni po transformohet nga një hapësirë ekspozimi në një platformë aktive prodhimi dhe bashkëkrijimi, duke krijuar mundësi të reja për artistët shqiptarë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Instalacioni “A Place in the Sun” ndërthur video me tre kanale, performancë live, animacion, teatër kukullash dhe kolonë zanore origjinale, duke krijuar një “teatër fiktiv” që eksploron tensionin midis realitetit dhe fiksionit.
Vepra mbështetet në referenca historike dhe diskurse mbi përfaqësimin e Shqipërisë në fillim të shekullit XX, duke përfshirë mënyrat se si vendi është projektuar në narrativat kulturore dhe politike të kohës. Pavijoni shndërrohet kështu në një hapësirë kritike dhe poetike njëkohësisht, ku historia rishikohet përmes imagjinatës artistike.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Ministri Gonxhja falënderoi artistin, kuratoren dhe ekipet realizuese, duke theksuar se suksesi i këtij pavijoni dëshmon aftësinë e Shqipërisë për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të barabartë në skenat më të rëndësishme të artit bashkëkohor.
Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë në Bienalen e Venecias 2026 do të qëndrojë i hapur për publikun nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026, duke ofruar gjatë kësaj periudhe një hapësirë të vazhdueshme ekspozimi, reflektimi dhe dialogu me vizitorë nga e gjithë bota.
Top Channel