Fillimisht u raportua se viktima humbi jetën për shkaqe natyrale, por pas hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë u zbulua se bëhej fjalë për një ngjarje me natyrë kriminale. Sipas policisë, 42-vjeçari Gentian Kraja është konfliktuar me 59-vjeçarin për motive të dobëta dhe më pas e ka goditur me grushte.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mbrëmjen e sotme në Top Story, ka dhënë më shumë detaje se si ndodhi dinamika e ngjarjes kriminale, duke u shprehur se ishte familja ajo që me këmbënguljen e saj zbuloi më shumë për vrasjen e 59-vjeçarit.
“Në momentin e parë ngjarja është trajtuar si vdekje natyrale nga arresti kardiak. Insistimi i familjarëve, dyshimet e tyre në lidhje me dëmtimet bënë që Prokuroria t’i kërkojë policisë së Durrësit për veprime shtesë, që çoi nga vdekja natyrale në vrasje aksidentale, nga pakujdesia dhe është referuar në Prokurori. Nuk është mbyllur hetimi sepse ka edhe prova të tërthorta që mund të çojnë në një vepër më të rëndë si vrasje me paramendim nga ana e autorit sepse nuk shprehu pendesë pas ngjarjes. Është në pranga 42-vjeçari Gentian Kraja.
Për personat e tjerë nuk ka vepra penale. Vetë familjarët kanë bërë një hetim personal. Nga ana e policisë asnjë nga dëshmitarët nuk kanë referuar konfliktin fizik që viktima pati me autorin. Nuk ka vepra penale për dëshmitarët okularë. Policia pretendon që nuk jemi në rast të një fshehjeje të kësaj ngjarjeje. Ende nuk mund të themi nëse ky grusht ka qenë shkaku i vdekjes së të ndjerit. Kështu pretendohet zyrtarisht deri në daljen e të gjitha analizave mjeko-ligjore”, u shpreh Bezat.