Kategoria Superiore dha disa verdikte të rëndësishme në këtë javë të parafundit. Lufta më e madhe në këto raunde finale po bëhet për rënien në të Parën dhe në ndeshjet e sotme duket se fatet u përcaktuan në një përqindje të madhe.

Flamurtari vulos një sezon katastrofik, duke u kthyer menjëherë në Kategorinë e Parë pas barazimit të sotëm kundër Teutës. Vlonjatët renditen të fundit me 39 pikë, tre më pak se Teuta dhe Vora, teksa të dyja kanë avantazh në ndeshjet direkte, çka e bën të pamundur parakalimin në ndeshjet e fundit.

Tirana e ka shmangur tashmë rënien direkte, çka padyshim është një gëzim i madh për bardheblutë e Shehit, pas një sezoni tejet negativ dhe të vështirë.

Skuadra bardheblu mposhti sot Vllazninë dhe sipas llogarive, më e keqja që mund të ndodhë në ndeshjen e fundit është renditja në vendin e tetë, që të çon në play-out, duke llogaritur se ndeshjet direkte me Bylisin i ka në avantazh.

Sakaq, sipas llogarive, do të duhet fitorja ndaj Elbasanit për të siguruar vendin e shtatë, pasi me fitoren e Vorës dhe një barazim a humbje të bardhebluve, avantazhin e kanë vorakët në ndeshje direkte.

Edhe Teuta ia ka komplikuar vetes gjërat në këto javë të fundit dhe vetëm fitorja i bën punë kundër Egnatias në “Niko Dovana” në ndeshjen e fundit.

Sa i përket kreut të renditjes, Partizani mbyll llogaritë me Europën, duke finalizuar një sezon plot luhatje dhe pa përmbushur objektivat.

Katërshja tashmë është fiksuar, me Elbasanin, Vllazninë, Egnatian dhe Dinamon, që kualifikohen zyrtarisht në Europë, pasi edhe Kupa e Shqipërisë do të luhet mes Egnatias dhe Dinamos. Automatikisht vendi i katërt kalon në Europë.

Renditja e Superiores pas javës së 35-të

Renditja e Superiores pas javës së 35-të

Top Channel